Vite të tëra mbi 10 mijë banorë të 12 fshatrave të zonës së mbivadës, si quhet ndryshe pjesa lindore e Komunës së Istogut, janë në pritje të ujit të pijshëm nga ujësjellësi dhe të mos e konsumojnë më ujin e puseve sikur deri më tash, shkruan sot Koha Ditore.
Shtatorin e vitit 2017 ujësjellësin ua kishte premtuar kreu i Komunës, Haki Rugova.
Për këtë ujësjellës, banorët e këtyre fshatrave duhet të presin se deri vitin e ardhshëm, kur shpresohet të kryhet projekti, i cili në fakt ende nuk ka filluar, por mjetet për të janë siguruar nga marrëveshja e arritur për kredi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë për lejimin e kredive të buta për institucionet e Kosovës në kuadër të programit “soft loan”.
Nga kjo marrëveshje kjo komunë ka përfituar mbi 5 milionë euro sa do të kushtojë projekti për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit dhe rinovimin e një rrjeti të vjetër ekzistues në një pjesë të asaj ane të Istogut.
Për këtë kredi, siç tregojnë në komunë, Komuna e Istogut ka negociuar me Ministrinë e Financave të Kosovës që nga viti 2015 për lejimin e kësaj kredie, e cila u është lejuar pas miratimit të saj në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës.