Banorët e Obiliqit vazhdojnë ta paguajnë energjinë elektrike me çmimi të njëjtë sikurse qytetarët e tjerë në vend.
Ligji për Obiliqin, i miratuar para tre vjetësh, përcakton që banorët të paguajnë energjinë elektrike me një çmim më të lirë, raporton KTV.
Sipas nenit tetë të këtij ligji, ZRRE-ja në bashkëpunim me Qeverinë obligohet që të sigurojë një kuotë më të ulët të çmimit për energji elektrike.
Zyra e Rregullatorit për Energji përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë për KTV-në se aktualisht definimi i një date se kur banorët do të paguajnë çmim më të lirë të energjisë është i pamundur .
“Bazuar në ligjet dhe rregullat në fuqi, tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët e rregulluar, janë përcaktuar pa dallime rajonale dhe aplikimi i dispozitës, së cilës ju po i referoheni, do të nënkuptonte ndryshime të legjislacionit primar dhe sekondar që rregullon çështjen e përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike”, ka thënë zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj.
Qytetarët, në anën tjetër, janë të zhgënjyer që ende një gjë e tillë nuk po zbatohet në praktikë.
Në komunën e Obliqit thonë se këtë vit janë duke shikuar mundësinë që përmes buxhetit nga kategoria e subvencioneve energjia elektrike, t’u paguhet përgjysmë banorëve nga Komuna.
Nga Ligji për Obiliqin, Komuna këtë vit. me miratimin e buxhetit të shtetit. ka përfituar mbi 4 milionë euro buxhet shtesë.