Përfaqësuesit e Ekipit negociator të Kosovës thonë se po punohet në platformën për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Autoritetet qeverisëse në Kosovë, pa dy partitë më të mëdha opozitare, po hartojnë platformë dhe miratojnë Ligjin për dialogun, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bëhet e qartë se vazhdimi i dialogut ndërlidhet me pezullimin e tarifës doganore që u është vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Njëri nga kryesuesit e Ekipit negociator, Fatmir Limaj, i cili është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se në javën e ardhshme do të përfundojë puna në platformën për bisedime dhe më pas ajo do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës.
“Nëse nuk do të mund ta unifikojmë faktorin politik në Kosovë, të paktën duhet të unifikojmë qëndrimet dhe jeni duke punuar fort në draftimin dhe përfundimin e platformës për dialogun dhe shpresoj që ajo platformë të paraqesë ose të reflektojë qëndrimet e përbashkëta të faktorit politik të Kosovës që do të dërgonte një mesazh dhe Kosova përfundimisht ta ketë një pozicion zyrtar në raport me dialogun me Serbinë”, tha Limaj.
Limaj tha se partitë politike opozitare do të ftohen për të kontribuuar në këtë proces dhe po ashtu do të informohen me takimet e zhvilluara deri më tash në Bruksel dhe punën e bërë.
“Qëndrimi i Republikës së Kosovës, ose platforma jonë, konsiston në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Dokumentet bazë që kanë sjellë pavarësinë e Kosovës, deklarata e pavarësisë, pakoja e Ahtisaarit, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e kështu me radhë. Me një fjalë, e gjithë platforma është ndërtuar në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Limaj.
Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, Ekipin negociator vazhdon ta konsiderojë si jolegjitim për ta përfaqësuar Kosovën në procesin e dialogut, Kosovë-Serbi.
Ky subjekt politik thekson se Ekipi negociator, nuk e përfaqëson askënd dhe nuk e përfaqëson shumicën parlamentare.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë, se LDK-ja pavarësisht kërkesave të ndryshme që të jetë pjesë e dialogut, nuk ka ndryshuar mendje.
“I ashtuquajturi Ekip negociator është vetëm duke prodhuar mjegull për shitje në politiken e Kosovës dhe që ka konsum të brendshëm. Formati i negociatave është presidencial dhe natyrisht agjenda dhe parimet e negociatave janë vendosur nga Grupi i Kontaktit qysh në qershor të vitit të kaluar. Ky mekanizëm është në funksion të agjendës që presidenti i republikës në negociata do ta ketë. Ndërsa opozita është në Prishtinë. Opozita vazhdon të ndërtojë veprime opozitare me të gjitha kapacitetet e saja për t’i qëndruar gardian politik Republikës së Kosovës”, tha Haziri.
Haziri thekson se Partia Socialdemokrate që është ndarë nga subjekti opozitar Lëvizja Vetëvendosje është bërë urë në koalicionin aktual qeverisës dhe për të marrë pjesë në dialog dhe pjesëmarrje indirekte në qeverisje.
Për me tepër, Haziri thekson se deri tash, asnjë veprim serioz nuk është ndërmarrë nga institucionet apo partnerët e koalicionit qeverisës për një zgjerim apo pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në negociata Kosovë- Serbi.
“Për shembull, kryetari i PDK-së mund ta bëjë aktin e tij, të largimit nga ulësja e kryetarit të Kuvendit dhe të krijojë mundësinë që partitë e opozitës edhe në qeveri edhe në Kuvend të hapin një dialog për pjesëmarrje në mënyrë që të shkaktohet një marrëveshje e brendshme politike për një unitet gjithëpërfshirës në Kosovës. Kjo nuk po ndodh përkundrazi”, tha Haziri.
Sipas modelit politik që partitë e koalicionit, janë duke ushtruar, Haziri thotë ato janë duke ushtruar detyrën e administrimit dhe nuk bëhet fjalë për qeverisje.
“Kjo tregon qartë se nuk ka vullnet politik të lëshohet rrugë për të ndërtuar qeverisje gjithëpërfshirëse”, u shpreh Haziri.
Kurse, Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut politik Kosovë-Serbi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se procesi aktual i delegacionit të Kosovës, mungesa e transparencës vazhdon të jetë e njëjtë, siç ka qenë edhe me herët.
“Mjegulla vazhdon dhe duhet të shikohet se si te ecet përpara, por ne ketë version edhe pse kemi një delegacion shtetëror, fragmentimi në skenën politike në vend ende është duke vazhduar ashtu siç ka qenë edhe me parë. Në ndërkohë, mungesa e një konsensusi edhe një qëndrimi unik të shtetit të Kosovës është duke vazhduar veçanërisht mbi çështjen e integritetit territorial të Kosovës apo kufjve të Kosovës”, tha Krasniqi.
Lidhur me mosraportimin në Kuvend për takimet e deritanishme në Bruksel, Limaj tha se deri tash nuk ka pasur ndonjë gjë të rëndësishme për të cilën është parë e nevojshme që të raportohet në Kuvend.
“Takimet që kemi pasur deri tani në Bruksel, kemi biseduar për modalitetet se si duhet të fillohet dialogu gjithëpërfshirës final dhe më tepër janë takime të përgatitjeve teknike se si duhet të fillojë dialogu”, shpjegoj Limaj.
Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës ka arritur ta krijojë një Ekip negociator, i përbërë nga përfaqësuesit e partive politike në pushtet, si dhe nga subjekti opozitar, Partia Socialdemokrate.
Dy partitë tjera më të mëdha në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij ekipi.