Fjalë Kyçe

Nga sot FSK hap dyert për ushtarët e rinj

Nga sot FSK hap dyert për ushtarët e rinj

Sot zyrtarisht Ministria e Mbrojtjes së Kosovës pritet të shpallë konkursin publik për rekrutimin e rekrutëve (OR1).

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës sot do të shpallë zyrtarisht konkursin publik për rekrutimin e rekrutëve (OR1) – ushtarëve që do të shërbejnë në komponentën aktive të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Afati i konkurrimit do të jetë deri më 22 shkurt 2019.

Konkursi do të shpallet mbi bazën e Planit të Veprimit 2019 të Ministrisë së Mbrojtjes.

Bazuar në këtë plan do të zhvillohet edhe procesi i shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes së rekrutëve të rinj që do të pranohen në FSK.

Kriteret e përgjithshme për rekrut/OR1(ushtar) të FSK-së do të jenë:

Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;

të këtë të përfunduar shkollën e mesme;

të jetë i moshës 18-23 vjeç;

të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

të zotërojë aftësitë e nevojshme shëndetësore e fizike për vendin e shërbimit si dhe të mos jetë i dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë.

Procedurat e shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes do të jenë:

Shqyrtimi fillestar i aplikacioneve;

testi i aftësive;

testi fizik;

intervista me shkrim dhe me gojë;

testi mjekësor;

trajnimi;

verifikimi;

emërimi si dhe e drejta e ankesës.

Dokumentet e kërkuara për aplikim sipas konkursit do të jenë:

Diploma (dëshmi) e shkollimeve të përfunduara; dëshmi; certifikata; mirënjohje (nëse posedon);

certifikata e lindjes (jo me të vjetër se 6 muaj);

certifikata e shtetësisë;

vërtetimi nga gjykata që nuk është nën hetime apo i ndjekur penalisht;

kopje e letërnjoftimit apo pasaportës si dhe dy fotografi të formatit (5 cm x 5 cm).

Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët konkurrojnë mund të pranohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës pasi të kenë plotësuar kërkesat dhe kriteret e përgjithshme të përzgjedhjes.

Pranimi në FSK konfirmohet pas përfundimit të trajnimit bazik dhe gjatë kësaj kohe kandidatët do të cilësohen si rekrutë (OR1).

Pas përfundimit të trajnimit bazik rekrutët marrin gradën e ushtarit, shkruan rtklive.

Formularët për aplikim do të jenë në dispozicion në të gjitha kazermat e FSK-së, si dhe në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, www.mksf-rks.org, apo www.rks-gov.net/mfsk ku do të publikohet edhe konkursi.

Formularët duhet të dorëzohen personalisht, në të gjitha kazermat e FSK-së, në çdo ditë pune nga ora 09:00-15:00 deri në afatin e fundit për konkurrim.