Fjalë Kyçe

Daçiq tregon se sa shtete e kanë ç’njohur Kosovën

Daçiq tregon se sa shtete e kanë ç’njohur Kosovën

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se pret sërish tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, së shpejti numri i vendeve të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do të bjerë nën gjysmën e numrit të përgjithshëm të vendeve anëtare të OKB-së, transmeton Koha.net.

“Kjo krijon një pasqyrë krejtësisht tjetër, ashtu që Kosova nuk mund ta bëjë asnjë hap politik pa marrëveshje me Serbinë”, citon b92 të ketë thënë Daçiq për tv pink.

Ai ka theksuar se që nga prilli i vitit 2014, qëkur është në krye të diplomacisë serbe, vetëm 9 shtete e kanë njohur Kosovën, ndërsa 13 sosh e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së saj.

Sipas fjalëve të tij, 91 vende me siguri nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa, siç ka thënë, është një numër i madh vendesh që e kanë njohur formalisht pavarësinë e Kosovës, por që nuk votojnë për të në forumet ndërkombëtare.

“Në mesin e tyre janë Egjipti, Peruja, Omani dhe Republika e Afrikës Qendrore”, ka thënë Daçiq duke shtuar se si ministër i jashtëm 25 herë e ka përshkuar sferën tokësore.

Edhe pse ka folur për numrin e shtuar të çnjohjeve, Daçiq ka përsëritur se tani është momenti ndërkombëtar që të zgjidhet “çështja” e Kosovës, pasi sipas tij, administrata amerikane është e hapur për kompromis ndërmjet Serbisë e Kosovës.

“Kjo administratë nuk është sikur ajo e Barack Obamës ose e Bill Clintonit”, ka thënë ai duke shtuar pyetjen nëse kthimi i Joe Bidenit do të ishte i mirë për interesat serbe.

Ai i ka theksuar se shqiptarët po presin që të ndryshojnë gjërat.

“Për ne edhe pritja është opsion”, ka thënë ai.