Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka injoruar thirrjen e QUINT-it për ndalimin e fushatës për tërheqje të njohjeve të Kosovës.
Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se për “Qeverinë nga Prishtina, serbët janë gjithmonë fajtorë”. Daçiq ka thënë se nuk ka informacione për akuzat nga homologu i tij, shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli për sulm ndaj Konsullatës së Kosovës në Danimarkë nga ana e serbëve në Copenhagen.
“Mbrëmë kam kontaktuar njerëzit tanë, sepse askush nuk më kishte lajmëruar në lidhje me rastin. Ata më kanë thënë se askush nuk i kishte njoftuar, nga Qeveria e Danimarkës, e as nuk është arrestuar dikush ose të ketë ndonjë të dyshuar. Andaj, deri më tani nuk kemi informacione të tilla, as nuk na është drejtuar dikush”, u shpreh Daçiq për “TV Prva”, transmeton lajmi.net.
Sa i përket kritikave të Pacollit për “banditët dhe huliganët serbë”, ai tha se me siguri e kishte fjalën për tifozët në ndeshjen Copenhagen – Crvena Zvezda që ishte zhvilluar të martën mbrëma.
“Sulme të tilla nga Qeveria e Prishtinës kemi nga disa në ditë. Ata vazhdimisht akuzojnë palën tonë, çfarë do që ndodh serbët janë fajtorë, ata ankohen në agresivitetin tonë e çfarë duhet të thonë njerëzit tanë për mënyrën si ata sillen me ta”, theksoi Daçiq.
Duke komentuar lirimin e ish ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina dhe vendimin e Maqedonisë së Veriut për mos ekstradimin e tij në Serbi, Daçiq tha se bëhet fjalë për vendim politik, transmeton lajmi.net.
“Nëse dikush gjendet në listën e të kërkuarve të INTERPOL-it, pse duhet të diskutohet a duhet të ekstradohet apo jo, atëherë bëhet fjalë për arsye politike”, tha ai. Ai po ashtu ka marrë krahasim edhe lirimin e Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze.
Daçiq po ashtu ka injoruar thirrjet e QUINT-it që Serbia të ndalojë me fushatën e lobimit për tëheqje të njohjeve të Kosovës.
“Përkundër thirrjeve të QUINT-it, nuk do ta ndali fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Ata nuk kanë thënë asgjë të re. Më ka prekur shumë që njerëzit i kanë nënvlerësuar vendimet e disa shteteve për tërheqje të njohjeve sepse nuk është e lehtë të fitoni një dokument të tillë. Madje, edhe në vizitën e tij, Putin kishte shprehur habinë si ia kemi arritur”, u shpreh ai, transmeton lajmi.net.
Në pyetjen se kur Serbia do ta vazhdojë fushatën për tërheqje të njohjeve të Kosovës, Daçiq tha se është një proces i pandalshëm. “Do të vazhdojmë, nuk kemi dashur gjatë kësaj jave t’i hidhërojmë, duhet të kemi kujdes edhe për gjendjen shëndetsore të atyre që shkruajnë njoftimet nga Prishtina”, theksoi ai.
Në raportimet rreth inkuadrimit të SHBA-së në procesin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, Daçiq ka thënë: “Nuk do ta marrë Amerika rolin e udhëheqësit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, BE-ja është kryesues në këtë proces, por të gjithë do të angazhohen për të gjetur një kombinim për ndonjë marrëveshje. Dy herë kam biseduar me Boltonin, ata mbështesin shtetin tonë që të arrijmë deri te një kompromis”.