Nënkryetari i Sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, në “Express Intervistën” në KTV, ka kundërshtuar përfshirjen e punëtorëve të KEK-ut në ligjin për pagat, derisa ka thënë se kryetari i Komisionit Parlamentar, Nait Hasani ose nuk e ka lexuar mirë ligjin ose ka mashtruar me interpretim ndryshe të këtij ligji.
Duke folur për interpretimin e ligjit, Llumnica ka thënë se sindikata ka kërkuar sqarime nga Ministria e Zhvillimit Ekonomike dhe ajo e Administratës Publike, por asnjëra prej tyre nuk i ka kthyer përgjigje.
“Kemi bërë komentin tonë kur është bërë draftligji më 25 korrik të vitit 2018, askush nuk i ka marrë parasysh. Në parlament Nait Hasani thotë se kompanitë të cilat financohet mbi 50 për qind. Defakto në projektligj shkruan për kompanitë që kanë kapital për 50 për qind. Ose nuk e ka lexuar mirë ose ka bërë mashtrim me interpretim ndryshe të ligjit”, ka thënë Llumnica.
“Ne kemi kërkuar interpretim prej zhvillimit ekonomik dhe administratës publike. Asnjëra s’ka kthyer interpretim me shkrim. Në media e kemi dëgjuar kur ministri i administratës ka thënë se edhe KEK-u është në ligjin për paga”, ka shtuar ai.
Sindikata e KEK-ut ka paralajmëruar grevë në rast se punëtorët nuk largohen nga ligji për paga.
“Ne e kem të domosdoshëm që të veprojmë sipas statusit sindikal, do të mbajmë grevë. Obligim për energjinë elektrike e ka KEDS-i që do të duhej ta blinte energjinë. Sa herë që KEK-u nuk ka prodhuar, Kosova ka mbetur në terr. Ne nuk kemi dëshirë, por secili që mendon se nuk duhet të veprojmë kështu, atëherë le të vijnë ta shohin”, ka thënë veç të tjerash ai.