Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i koalicionit, Kadri Veseli, ka folur sot para rektorëve të Universiteteve Publike shqiptare të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për procesin e dialogut nga i cili siç tha ai, Kosova do të marr njohjen nga Serbia dhe do të sigurojë anëtarësimin në OKB dhe përshpejtimin e anëtarësimit në NATO e BE.
“Sikurse të gjithë qytetarët e vendit, edhe ju, me të drejtë ndiheni të brengosur se çfarë është duke ndodhur me vendin tuaj, në dialogun, me taksën dhe me atë që ditëve të fundit është bërë temë e ditës, raportin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Keni të drejtë. Jemi në një moment vendimtar për shtetin dhe të ardhmen tonë si komb. Në pyetje është fati i kombit tonë. Perëndimi, i udhëhequr nga SHBA-ja është në një mision të perëndizimit të Ballkanit. Çdo vit vendet përreth nesh po bëhen anëtare të NATO-s. Rusia po mbetet jashtë, pa influencë. Arsyeja është e qartë: aty ku mbyllen mosmarrëveshjet, përmbyllet edhe hapësira e ndërhyrjes ruse”, tha Kryeparlamentari Veseli në përvjetorin e 49-të të Universitetit të Prishtinës.
Kryeparlamentari Veseli tha se pas përmbylljes së konflikteve dhe drejtimit nga perëndimi i vendeve fqinje, tani ka mbetur të përmbyllet edhe marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duan që mes Kosovës shtet të pavarur dhe sovran dhe Serbisë, të ketë një marrëveshje përfundimtare, që Kosovën do ta anëtarësonte në OKB, në NATO, BE, por edhe Serbisë do t’i hapte perspektivën drejt BE-së”, tha Veseli.
Sipas tij, Kosova duhet të veprojë sipas këshillave amerikane dhe vendeve perëndimore evropiane në procesin e dialogut, ashtu siç ka vepruar deri tani në dekadat të suksesit.
“Dialogu me Serbinë duhet të ndodhë. Duhet ti besojmë vetes sonë, SHBA-së dhe Perëndimit. Ka ardhur koha që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, marrëveshje e cila do të mbyllte njëherë e përgjithmonë kapitullin e armiqësisë mes dy vendeve. Kosova hyn në dialog sepse i beson SHBA-së dhe BE-së. Kosova hynë në dialog jo për ta dobësuar vetveten por për ta fuqizuar vetveten”, tha Veseli.
Ai theksoi se marrëveshja përfundimtare nuk do të ndodhë pa u respektuar sovraniteti dhe integriteti i Republikës së Kosovës.
“Tani kemi edhe propozim platformën e dialogut. Nuk do të lejojmë të cenohet as dëmtohet asnjë interes kombëtar. Do të mendojmë edhe për njerëzit e kombit tonë në Respublikën e Serbisë, si masë reciprociteti. Vendimmarrja përfundimtare do të jetë në Kuvendin e Kosovës dhe nga vetë qytetarët tanë, përmes referendumit. Ky është qëndrimi im i palëkundur”, tha kreu i Kuvendit.
Duke folur për taksën 100 përqind ndaj Serbisë, Veseli tha se ajo ka qenë e drejtë, por sipas tij, në momentin aktual dhe në rrethanat e një kërkese të qartë të SHBA-së për ti dhënë mundësi dialogut, taksa duhet të pezullohet për 120 ditë dhe ky vendim ka për qëllim që Kosovën ta vëjë në anën e SHBA-së dhe Perëndimit.
“Në rrugëtimin tim tredekadësh politik, edhe me përvojën personale, e di një fakt: populli jonë ka fituar çdoherë kur ka qenë me SHBA-të. E kam parë, e kam ndjerë dhe e kam provuar vetë këtë. Jam krenarë se i përkas atyre që e kanë thelluar këtë rrugë. Nuk ka rrugë tjetër të mirë për kombin tonë, shtetin tonë, qytetarët tanë. Qëndrimi im është i qartë: në asnjë mënyrë nuk duhet të cenojmë parimet e shtetit tonë, dinjitetit tonë, si shtet. Por njëkohësisht, duhet të jemi fleksibil dhe të mos vëmë në pikëpyetje partneritetin me aleatin dhe mbështetësin më të madh të lirisë dhe pavarësisë sonë –Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk mbrohet Kosova dhe sovraniteti i saj duke injoruar Amerikën dhe interesat e saj strategjike në rajon. Këto interesa janë edhe tonat”, tha Veseli.
Kryeparlamentari kosovar ka kritikuar ashpër edhe opinionet e atyre njerëzve në Kosovë që mendojnë se Administrata aktuale amerikane janë të kapur nga rusët.
“Ju flas si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, si njeri që kam komunikim permanent me instancat e larta të politikës amerikane. Nuk ka ndryshim të politikës amerikane për Kosovën. Nuk ka kundërthënie midis interesave amerikane në rajon dhe interesave të kombit tonë. Përkundrazi, këto interesa janë në përputhje të plotë me njëra-tjetrën. Unë besoj se tejkalimi i kësaj situate që na është krijuar bëhet shumë lehtë. Mjafton që të hiqet dorë nga nga qasjet individuale, nga protagonizmi i njëanshëm dhe t’i hapet rrugë veprimit të përbashkët institucional”, ka thënë Veseli./Gazeta Alo/