Fjalë Kyçe

Gjashtë persona humbën jetën nga gripi sezonal në Kosovë

Gjashtë persona humbën jetën nga gripi sezonal në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës thotë është duke përcjellë me vëmendje ecurinë e gripit sezonal.

Nga 1 tetori deri më sot, në IKSHPK janë raportuar gjithsej 26.822 raste të dyshimta në grip (ILI), 4.434 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 34 raste SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut).

Në laboratorët e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 15 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 480 mostra të dyshimta në grip, prej tyre 141 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A.

“Pra, në qarkullim gjendet virusi i Gripit A, prej të cilave 62 mostra rezultojnë pozitive në

AH1pdm09. Deri sot nga Klinika Infektive janë raportuar katër raste vdekje të konfirmuara me Influencë AH1N1 dhe dy raste me influenza A. Pacientet kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal. Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës, por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik”, thotë IKSHPK në njoftimin për media.

Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale nga 1 tetori 2018 deri sot janë hospitalizuar 444 raste me Dg. Bronchopneumonia (ARI), 62 raste me Dg.ILI dhe 34 raste me Dg.SARI.

Gjatë 24 orëve të fundit janë hospitalizuar 5 raste me Dg.Bronchopneumonia, 5 raste me Dg.Status griposus, 5 rate me Dg. Infiltratio pulmonum dhe 1 rast i konfirmuar me influencën A.

“Ministria e Shëndetësisë tashmë ka siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave që nga 1 tetori 2018 dhe janë distribuuar nga IKSHPK në çdo QKMF në Kosovë andaj qytetarët e moshuar dhe me sëmundje kronike rekomandohen akoma që të vaksinohen. Vaksinimi i gjertanishëm në Kosovë ka treguar një efikasitet dhe ulje te rasteve të hospitalizuara. Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, ekziston mundësia e rritjes së rasteve”, thotë IKSHPK.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës thotë se ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit A H1N1 dhe është në gjendje gatishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike.

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A H1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm duke dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

IKSHPK u ka dërguar rekomandime të gjitha institucioneve shëndetësore në vend për masat për parandalimin e gripit sezonal dhe thotë se do të informojë rregullisht për ndryshimet në situatën epidemiologjike Ministrinë e Shëndetësisë dhe OBSH.

Masat praktike në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal:

 

1.Të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë,

2.Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes

3.Të reduktohet numri i vizitave të familjarëve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale)

4.Të evitohen vendet e mbyllura dhe mbingarkuara me njerëz

5.Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina

6.Bëni aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm.

7.Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni

8.Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt

9.Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool

10.Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuar, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë

11.Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, barnat merren vetëm me rekomandimin e mjekut;

Medikamentet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe të rekomanduara nga mjeku;

Medikamente kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes për të pasur efektivitet të lartë;

Medikamente kundër gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Ato mund të parandalojnë edhe komplikimet e rënda që mund të vijnë nga gripi.

Masat parandaluese për përhapjen e virusit të gripit

Mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit sezonal është vaksinimi me vaksinën kundër gripit.

1.Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së gripit.

2.Vaksinimi kundër gripit sezonal bëhet në muajt tetor–dhjetor por edhe gjatë tërë sezonit të dimrit.

3.Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.