Fjalë Kyçe

Grabitjet kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar

Grabitjet kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar

Grabitjet me armë janë shqetësim për organet e sigurisë dhe numri i tyre në muajin e parë të këtij viti ka shënuar rritje, në krahasim me janarin e vitit 2018.

22 grabitje me armë janë lajmëruar në polici në fillim të vitit, apo 8 më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raporton KTV.

Në momentin që do të ndizet alarmi i një banke, në mënyrë automatike, alarmi për grabitje do të shkojë edhe në polici. Kjo është vetëm një nga masat për siguri më të madhe në banka, që gjendet në një marrëveshje e cila është nënshkruar mes Ministrisë së Brendshme, BQK-së dhe Shoqatës së Kompanive të Sigurimit.

Problem tjetër që po raportohet së fundmi nga policia, është edhe çështja e parave të falsifikuara. Në një konferencë për media u tha se dy persona janë arrestuar për falsifikim të kartëmonedhave në një aksion të Policisë.

Atyre u janë gjetur 383 kartëmonedha në vlerë prej 100 eurosh, që dyshohej si ishin të falsifikuara, apo gjithsej 38 mijë e 300 euro.

Në vitin 2018, për ta parandaluar një grabitje në qytetin e Istogut, kishte mbetur i vdekur një zyrtar policor dhe një person i cili dyshohet se kishte qenë duke grabitur një filial banke.