Para pak çastesh ka ndërruar jetë edhe njëri nga të lënduarit e aksidentit që ndodhi më 13 shkurt në autostradën Shkup – Tetovë.
Më këtë numri i viktimave shkon në 15 gjithsejtë. Ndërkohë që të lënduarit e tjerë vazhdojnë të kurohen në qendrat spitalore të vendit. Ndërsa disa prej tyre, ata të cilët kishin lëndime më të lehta janë lëshuar për kurim shtëpiak.
Kirurgët dje u detyruan që t’ia amputojnë këmbën vajzës 19 vjeçare e shtruar në Kirurgjinë e Spitalit Shtetëror, që ende është në gjendje kritike. Operacioni i saj i dytë tashmë, ka zgjatur afro pesë orë. Drejtori i Spitalit, mjeku Ilir Hasani, tha se ata si mjekë, kanë qenë të fokusuar t’ia shpëtojnë jetën vajzës, prandaj konsiderojnë se tashmë është bërë maksimumi. Gjendja e saj, megjithatë mbetet kritike.
Në gjendje kritike janë edhe dy pacientë të tjerë, në të 40-tat. Njërin prej pacientëve mjekët e kanë operuar dy herë në gjoks, dhe ai tani është i vendosur në aparate artificiale të frymëmarrjes. Ilir Hasani, drejtor i Emergjencës kirurgjikale në Spitalin shtetëror tha se gjashtë pacientë janë gjithësej në klinikë. Tre janë në repartin intensiv ndërsa tre të tjerë në reparte të tjera si torakale, neurokirurgji dhe traumatologji. Tre pacientët e tjerë janë përmirësuar, ndërsa një burrë nga Gostivari që e takuam shkurtimisht brenda spitalit, tashmë kishte marrë lejen për të vazhduar mjekimin në shtëpi. Ky person kishte patur krahun e lënduar.