Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 55-të Sigurisë e cila po i zhvillon punimet e saj në Munich të Gjermanisë, konferenca më e madhe e sigurisë në botë, sot u takua me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar presidentin Gjukanoviq për progresin e Kosovës, prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, orientimin euroatlantik të Kosovës, si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar raportet e mira bilaterale ndërmjet dy vendeve, dhe ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që bashkëpunimi të thellohet edhe më tutje në interes të të dy shteteve dhe popujve tanë.
Kryeministri Haradinaj tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar me përkushtim në ndërtimin e raporteve të mira bilaterale me të gjitha vendet e rajonit, duke potencuar perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit, është biseduar edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për të cilën kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e gatshme për arritjen e marrëveshjes finale ligjore obligative me Serbinë, që do të thotë njohje reciproke.
Ndërsa, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vlerësoi se është më interes të Kosovës dhe Malit të Zi, thellimi i bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së popujve të dy vendeve dhe shprehu përkrahjen e plotë për rrugën euro-atlantike të Kosovës.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli./Gazeta Alo/