Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin britanik të Shtetit për Evropë dhe Amerikë në Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit, Alan Duncan dhe Richard Moore, Drejtor i Përgjithshëm Politik në Ministrinë e Jashtme.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj i ka njoftuar ministrin Duncan dhe Moore për të arriturat e Qeverisë së Kosovës, për zhvillimet aktuale në vend, dinamikën qeverisëse dhe për përkushtimin e institucioneve në fuqizimin e zhvillimit ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Duke vlerësuar lart rolin e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe rajonin, kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në proceset e tanishme të konsolidimit të vendit dhe në procesin final të dialogut me Serbinë.
“Prezenca dhe kontributi i Mbretërisë së Bashkuar është i nevojshëm në Stabilitetin e Ballkanit dhe Kosova është e përkushtuar që të fuqizojë partneritetin mes dyja vendeve”, ka thënë kryeministri Haradinaj duke potencuar orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, njofton kumtesa kryeministrore, ministri britanik, Alan Duncan dhe Richard Moore, vlerësuan se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira dhe Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Në takim i pranishëm ishte edhe Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.