Mësimdhënësit në nivel vendi kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për ta kthyer në rilexim Ligjin për Paga, pasi koeficienti i caktuar për ta ka shkaktuar pakënaqësi.
Mursel Kryeziu, anëtar i Këshillit iniciues, ka thënë për Koha.net se tashmë janë mbledhur 5 mijë nënshkrime dhe të martën peticioni do të dorëzohet në pesë institucione shtetërore.
“Menjëherë pas publikimit të listës së koeficienteve dhe rangimin e mësuesve në nivelin ku është tash, kjo ka sjell pakënaqësi që pastaj kanë filluar lëvizjet për të shprehur këtë revoltë dhe është arritur të formohet një Këshill iniciues në nivel vendi. Kjo është iniciativë në nivel vendi, dhe peticionin e kanë nënshkruar rreth 5 mijë mësimdhënës ndërsa po vazhdon mbledhja e nënshkrimeve ende”, ka thënë Kryeziu, që është pjesë e Këshillit iniciues.
Ai ka thënë se mësimdhënësit kërkojnë përmirësim të koeficientit, derisa thekson se të martën nuk do të ketë protestë por veç dorëzim të peticionit, i cili do të bëhet në ora 10:00.
“Kërkesat tona janë kthimi i Ligjit për paga në rilexim të tretë, ripozicionimi i pozitës së mësuesit aty, do të thotë përmirësimi i koeficientit që është dhënë aty. Protesta nuk ka mirëpo peticioni në pesë kopje do të dorëzohet në Kuvend, Presidencë, SBASHK, MASHT dhe kopja e fundit në Administratë publike”, u shpreh Kryeziu për Koha.net.
Sipas tij, për t’u kthyer në rilexim Ligji për Pagat, duhen të paktën 10 mijë nënshkrime.
“Përkundër që është miratuar Ligji, mund të kthehet me së paku 10 mijë nënshkrime, na është thënë nga Komisioni për çështje të arsimit në Kuvend”, ka deklaruar Kryeziu.
Kurse kryesuesi i këtij Këshilli, Xhavit Lani në një postim në Facebook ka shkruar se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë deri të dielën në ora 12:00.
“Nënshkrimet do të mblidhen deri pasnesër (e diele) në ora 12:00, qoftë në mënyrë elektronike [email protected] apo në formë fizike në shkollën ‘Faik Konica’ në Prishtinë”, ka shkruar Lani.