Fjalë Kyçe

Mishi i lopëve të sëmura nga Polonia, u importua edhe në Kosovë

Mishi i lopëve të sëmura nga Polonia, u importua edhe në Kosovë

Një skandal tjetër i mishit të prishur ka kapluar Evropën.

Mediat botërore kanë raportuar për skandalin e mishit të lopëve të sëmura nga Polonia. I njëjti produkt, u importua në shumicën e vendeve të Evropës, shkruan lajmi.net.

Në imazhet e publikuara nga “The Guardian”, shihen lopët e sëmura të cilat dërgohen për t’u prerë, mishi i të cilave më pas do të përdorej për treg.

Kjo situatë alarmoi edhe autoritetet evropiane të kontrollit ushqimor, të cilat filluan inspektimet e më pas edhe mbylljen e thertoreve në shtetin polak.

Aktualisht, sipas raportimeve ky mish u importua në 12 shtete të Evropës, përfshirë Estonin, Letoninë, Finlandën, Francën, Hungarinë, Lituaninë, Spanjën, Portugalinë, Rumaninë dhe Suedinë.

Ani pse nuk u raportua se ky produkt ka arritur në Ballkan, mish nga Polonia u importua edhe në Kosovë.

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje për lajmi.net nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Por, nga e njëjta thuhet se në këto produkte të mishit është ushtruar kontroll i plotë.

“Kontrolli i mishit bëhet nga inspektorët veterinar. Procedurat e kontrollit janë të njëjta për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Kemi pasur import nga shteti i Polonisë dhe është ushtruar kontroll në këto ngarkesa. Të gjitha kanë poseduar dokumentacionin përkatës i cili dëshmon sigurinë e produktit i lëshuar nga autoriteti i origjinës”, thuhet në përgjigjen e AUV-it.

Më tej, Agjencia e Ushqimit sqaron se deri më tani, nuk kanë pasur ndonjë rast të mishit të prishur nga Polonia.

“Të gjitha ngarkesat të cilat me kod doganor përcaktohen për kontroll të inspektoratit të Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë, inspektohen në pika të kontrollit kufitar apo terminale doganore. Në kontroll fizik dhe organoliptik ka qenë në rregull, nuk kemi pas ndonjë rast të produktit të dyshimtë nga ky shtet”, thuhet më tutje në përgjigjen e Agjencisë së Ushqimit.

Edhe pse nuk dihet sasia e saktë e mishit të importuar nga Polonia për në Kosovë, nga AUV-i thonë se kanë bashkëpunim të ngushtë me policinë dhe doganat, dhe se sipas tyre nëse shfaqet ndonjë dyshim gjatë kontrollit kufitar, ngarkesa e njëjtë ndalohet për import, si dhe i pamundësohet hyrja në treg të brendshëm.

E Polonia po del të jetë njëra ndër importueset më të mëdha të mishit në Kosovë.

Në bazë të statistikave, Polonia radhitet si shteti i dytë pas Brazilit me import të mishit në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Kosova përveç Brazilit dhe Polonisë, importin e mishit e ka fokusuar edhe nga Gjermania.

Kujtojmë, se Kosova ishte njoftuar me skandalin e mishit të prishur të ardhur nga Belgjika. Ky produkt ishte shpërndarë me të madhe në tregun kosovar, ndërkaq që ishte shitur nëpër marketet e Kosovës.

Në lidhje me këtë ishte vënë në lëvizje edhe Prokuroria, e cila kishte arrestuar disa persona, kryesisht pronarë të kompanive importuese të mishit.