Kosova po ndjek rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, por sfidat e saj kryesore burojnë nga agresioni rus.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë të dhënë për njërin nga televizionet amerikane.
”Atë që e quajmë agjendë talebane apo islamike, ishte shumë agresive ndaj nesh. Por gjithashtu rusët janë shumë agresivë. Ata e bazojnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të tyre nga Serbia, ata kanë 3 mijë monitoruesve të tyre që i quajnë humanitarë në Serbi, shumica prej tyre janë në të vërtetë anëtarë të shërbimeve të sigurisë, shërbimeve të sigurisë ruse. Por ne kemi detyrat tona të shtëpisë dhe nuk jemi vetëm. Ne punojmë në partneritet të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët e tjerë, kryesisht aleatë të NATO-s”, ka thënë Haradinaj, njofton klankosova.
Megjithatë Haradinaj nuk ka komentuar dhurimin e disa avionëve luftarakë nga Rusia për shtetin serb, shtet ky që vazhdon të mos e njohë shtetësinë e Kosovës.
Kryeministri Haradinaj ka ripërsëritur se është koha për një marrëveshje në mes dy vendeve, që sipas tij është në interes të Kosovës dhe Serbisë.
”Poashtu mirëpresim bashkëpunimin e Washington-it, shpresojmë se do të kemi përkrahjen e njëjtë edhe nga vendet tjera dhe pas anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, besoj se tani është koha jonë”.
I pari i Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj, është pyetur se sa përkrahës është presidenti amerikan, Donald Trump në drejtim të Kosovës, ku tha se Trump po ofron përkrahje e cila është shumë e dobishme për vendin dhe gjithë rajonin.
Haradinaj për CNBC tha se përkrahja në drejtim të Kosovës nuk ka munguar që nga vitet e 90-ta, por që tani ka tjetër qasje, pra ka të bëjë me stabilitetin dhe arritjet shtetërore bashkë me të gjithë aleatët ndërkombëtarë.
”Kur bëhet fjalë për luftimin e terrorizmit, mendoj se jemi një partner i mirë në adresimet e duhura”, ka përfunduar Haradinaj.