Fjalë Kyçe

Kush e do qëndrimin njëshekullor të KFOR-it në Kosovë

Kush e do qëndrimin njëshekullor të KFOR-it në Kosovë

Serbia dhe Kosova aktualisht nuk mund të arrijnë ndonjë marrëveshje të vlefshme për shkak se ato janë partnere në kriminalitet, janë të futur thellë në trafikim të drogës dhe të formave të tjera të krimit mendon shkrimtari serb Marko Vidojkoviq.

“Nuk jam i sigurt se ato do të mund të merren vesh për ndonjë gjë”, ka thënë ai për FoNet, transmeton Koha.net.

Ai mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë s’e ka quajtur konflikt të ngrirë, por paqe e ngrirë duke shtuar se i dobishëm do të ishte qëndrimi 100 vjeçar i KFOR-it në Kosovë.

Sipas tij, duhet të ikin breza e breza në Kosovë e në Serbi e pastaj në të ardhmen ndoshta dikush do të mundte të arrijë një marrëveshje.

Vidojkoviq, nuk dëshiron ta përmendë pavarësinë e Kosovës dhe propozon një federatë ose konfederatë ndërmjet saj e Serbisë duke ua ofruar shqiptarëve vendin e kryeministrit dhe disa ministri.

Sipas tij, “kufizimi Kosovë- Serbi është hap anti qytetërues qoftë ai me këmbimin e territoreve ose dhe me këmbimin e popullatës”.

Mundësinë që Kosova të marrë ulëse në OKB, ai e sheh përmes Shqipërisë dhe përkujton se “Ato tashmë po flasin për heqjen e kufijve të ndërsjellë, ndërsa dihet se kosovarë s’e donë flamurin Kosovës por atë të Shqipërisë”.

Sipas tij, “ndoshta duhet menduar edhe përtej kornizave aktuale për të kuptuar se Kosova mund të hyjë në OKB si pjesë e zgjatur e Shqipërisë”.

Referendumin në Serbi për Kosovën për Vidojkoviqin është i panevojshëm pasi që ai është mbajtur në vitin 1998 e në të ishte vendosur se “çizmja e huaj nuk mund të futet në Kosovë”.

Në pyetjen se çfarë do të thotë personalisht për të Kosova, ai ka thënë se në Kosovë ka qenë vetëm një herë, në vitin 2016 në veri ashtu që “nuk mund të thotë si disa të tjerë se në ç’pjesë të shpirtit e ka atë”, transmeton Koha.net.

“Kosovën e kemi gur në qafë tash e 35 vjet, e pse mos ta kemi edhe 150 vjet, sepse nuk është thelbësore Kosova, thelbësore është se çfarë kemi nga pjesa e mbetur e këtij vendi . Nëse ajo pjesë, Serbia, do të jetë më normale, atëherë edhe Kosovën do ta ketë më afër”, ka theksuar Vidojkoviq.