Rritja enorme e qenve endacakë nëpër rrugët e kryeqytetit, por edhe nëpër rrugët e qyteteve të tjera të Kosovës po paraqet rrezik serioz për jetën e qytetarëve, shkruan gazeta “Zëri”.
Qytetarët e kryeqytetit, por edhe ata që jetojnë nëpër qytete të tjera të Kosovës vazhdojnë të jenë të shqetësuar për numrin e rritjes së qenve endacakë. Qytetarja Mirela Berisha ka thënë për gazetën “Zëri” se ndihet e frikësuar kur kalon rrugës në mëngjes dhe nuk ka njerëz. “Fatmirësisht nuk më kanë sulmuar asnjëherë, por normal që jam e frikësuar, sidomos kur po ka raste gjatë ditës ose në mëngjes herët kur nuk po ka shumë njerëz”, tha ajo.
Po ashtu i shqetësuar rreth numrit të madh të qenve endacakë është edhe qytetari tjetër Lirim Xhimi, i cili ia kishte shpëtuar jetën një vajze një natë më parë. “Jemi të frikësuar prej qenve endacakë, sidomos në kohën e natës kur ta frekuentojmë këtë rrugë ka shumë qenë endacakë edhe vazhdimisht vërsulen drejt njerëzve. Para nja dy netëve ka ndodhur, e kam parë vetë që e kanë sulmuar një vajzë këtu përballë Katedrales dhe me ndihmën time e të disa vetëve kemi arritur ta mënjanojmë nga më e keqja”, tha ai.