Fjalë Kyçe

Rryma e la pa lopë, a do t’a kompensojë KEDS-i banorin nga Llausha?

Rryma e la pa lopë, a do t’a kompensojë KEDS-i banorin nga Llausha?

Në lagjen Vjovoda në Llaushë të Skenderajt, banorët janë të rrezikuar nga telat e rrymës elektrike që banorët i kanë vendosur nëpër pemë.

Si pasojë e neglizhencës së KEDS-it për mos vendosje e shtyllave elektrike në fshatin Llaushë e ka pësuar një lopë që ishte duke kullotur në një livadh.

Ismet Vojvoda, banorë i fshatit Llaushë thotë se më datë 27.10.2018, kishte lëshuar për kullosë lopën  kur më pas një erë e madhe i ka hequr telat nga pemët dhe i kanë mbytur lopën.

Banori Ismet Vojvoda tha për lajmi.net se KEDS-i në fillim i ka thënë se do t’i kompensohet dëmi, mirëpo tani po e maltretojnë në mënyra të ndryshme.

Tutje, Ismeti thotë se fëmijët nuk ka më çka t’i ushqej, pasi jeton në kushte të rënda dhe jeton vetëm me pensionin e veteranit.

“Një lopë ma ka mytë rryma, kurrfarë përgjigje KEDS-i nuk po me jep, po me maltertojnë. Nuk po di çka më ba. Më kanë thanë mos me thirr televizion as kurrgjë. Më kanë thanë me pas një raport të veterinarit që kanë qenë në vendin e ngjarjes. Unë veterinar nuk kom marrë se nuk kam pas mundësi dhe nuk e kam ditë qysh shkojnë këto punë, ata më kanë thanë që sherri i kësaj nuk mundet të përcaktohet vlera e lopës. Tash këta nuk po ma paguajnë lopën, po më qojnë herë në Mitrovicë herë në Prishtinë. Fëmijët i kam pa tamel, vet jam kanë ushtar me ni rrogë s’po di ka ja maj”, ka thënë Vojvoda.

Pyetje janë dërguar edhe në adresën e KEDS-it, ku zëdhënësi i saj, Viktor Buzhala e konfirmoi se kjo kompani po kërkon raport të veterinarit për kompensim të dëmit.

“Sa i përket dëmit të banorit, KEDS është pajtuar që të veprojë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Por, në bazë të procedurave standarde banori duhet të sjellë certifikatën e veterinarit mbi shkaqet e ngordhjes se lopës, e cila lëshohet gjithnjë në këto raste nga veterinari përkatës, gjë që nuk e ka bërë deri sot, përkundër kërkesës së KEDS-it”, ka thënë Buzhala.

Po ashtu, ai tha se banorët e kanë penguar rregullimin e rrjetit për shkak se banoret nuk kanë lejuar që të priten degët.

“KEDS ka trasheguar këtë rrjet në gjendje të rëndë nga koha kur Distribucioni ishte në pronësi publike. Ne kemi bërë maksimumin brenda periudhës prej më pak se 6 vjet prej se kompania ka nisur operimet, duke arritur të investojmë në qindra lokalitete, ku kanë përfituar qindra mijë konsumatorë. Por, në vendin që ju i apostrofoheni, KEDS e ka pasur të pamundur të bëjë mirëmbajtjen e rrjetit, për shkak se banoret nuk kanë lejuar që të priten degët që pengojnë rrjetin”, ka thënë Buzhala.