Bashkimi Evropian ka deklaruar se zgjidhja në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e qëndrueshme dhe reale.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë se, zgjidhja në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e qëndrueshme dhe e bazuar në pëlqimin e ndërsjellë si dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ligjin e BE-së.
Kocijançiq ka thënë për “rts.rs”, transmeton lajmi.net, se është duke u punuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve që siç theksoi ajo, do të sjellin një zgjidhje të qëndrueshme për të gjitha çështjet e hapura.
“Kjo zgjidhje duhet të jetë një zgjidhje e qëndrueshme dhe realiste, e bazuar në pëlqimin e ndërsjellë dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ligjin e BE-së dhe të jetë e pranueshme për të gjitha vendet anëtare të BE-së”, theksoi Kocijançiq.
Sipas Kocinjançiqit, një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese është urgjente dhe vendimtare për përparimin e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së, si dhe për stabilitetin në rajon.
“Ne jemi të fokusuar në punën e vazhdueshme në dialog që do të intensifikohet sapo taksa të shfuqizohet”, deklaroi Kocijançiq.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme, Përfaqësuesja e Lartë e Bashikimit Evropian, Federica Mogherini, kishte deklaruar se është gati të planifikojë një raund të ri të dialogut pas shfuqizimit të taksës pasi që sipas saj, shfuqizimi i taksës është parakusht për bisedimet e suksesshme.