Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, duke u shprehur se bashkëveprimi midis SHBA-ve dhe BE-së është kyç.
“Besoj gjithmonë te dialogu, por edhe te motivi e frymëzimi për suksesin e këtij dialogu, që duhet të jetë nga të dyja palët, në këtë rast e ardhmja e përbashkët europiane. Dua të nënvizoj rëndësinë që i kushtoj, ashtu sikurse edhe në rastin e Maqedonisë, ku e theksoj bashkëveprimi midis SHBA-ve dhe BE-së ishte kyç për të ndihmuar dhe inkurajuar deri në minutën e fundit suksesin e marrëveshjes me Greqinë.
Besoj se edhe në këtë rast, bashkëpunimi midis SHBA-ve dhe BE-së, por këtu dua të jem edhe më pak specifik sikurse kam qenë edhe në të gjitha takimet me drejtuesit e Kosovës, bashkëpunimi midis SHBA-ve dhe Gjermanisë do të ishte mjaft i rëndësishëm që të kemi sa më shpejt një marrëveshje, që jo vetëm garanton paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon, por njëkohësisht garanton të ardhmen europiane të të dyja vendeve, si të Serbisë, ashtu edhe të Kosovës. Dhe një garanci në këto momente më mirë se Gjermania vështirë ta japë dikush tjetër”, tha Meta në një intervistë dhënë për “Deutsche Welle”.
Presidenti u pyet edhe për idenë e dhënies së pasaportës shqiptare për shtetasit kosovarë, duke qenë se ende nuk e kanë fituar të drejtën për lëvizje të lirë në zonën “Shengen”, por Meta tha se kjo nuk është zgjidhje.
“Kjo nuk është një zgjidhje për arsye, sepse Shqipëria, edhe pse ka përfituar prej kohësh liberalizimin e vizave përsëri është në vrojtim, është në monitorim të respektimit të detyrimeve që vijnë nga kjo e drejtë e fituar, që kuptohet edhe mund të ndërpritet në një moment të caktuar. Pra, nuk është kjo zgjidhja.
Qytetarët e Kosovës kanë pasaportat e tyre, kanë shtetin e tyre, që njihet nga 23 vende të BE-së dhe kanë marrë një premtim. Dhe ka kaluar koha që ky premtim të mbahej, pasi liberalizimi i vizave ka qenë një proces teknik dhe ata i kanë plotësuar më shumë se të gjitha vendet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë në të kaluarën, pra në Ballkanin Perëndimor, detyrimet dhe kushtet teknike”, tha Presidenti.