Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se pret që Bashkimi Evropian ta bind Prishtinën për të hequr vendimin për taksën ndaj produkteve serbe, vendim ky për të cilin presidenti serb thotë se është i rrezikshëm për rajonin.
Këto deklarime ai i ka bërë gjatë një takimi që ka pasur me shefin e Zyrës së BE-së në Serbi, Sem Fabrizin, shkruan N1.
Vuçiq i ka thënë shefit të Zyrës së BE-së që veprimet e një anshme të Kosovës janë rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit, duke shtuar se Evropa duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për ta bindur Kosovën që ta heq taksën.
“Kemi nevojë për një marrëveshje të qëndrueshme. Ne jemi të përgatitur për të vazhduar dialogun me Prishtinën, por së pari taksa duhet të hiqet”, ka thënë Vuçiq.
Ndërsa Fabrizi ka thënë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.