Vajzat dhe gratë e Kosovës që dëshirojnë të studiojnë në SHBA, tani e kanë një mundësi që të fitojnë bursë të plotë studimi, për të mbuluar kostot e plota të studimeve në institucione të akredituara ndërkombëtare akademike, me një fokus të veçantë në lëndët STEM.
Kjo u bë e ditur në një ceremoni të Millennium Foundation Kosovo, me rastin e hapjes së programit “Women in Energy”, përmes së cilit ofrohen 25 bursa për gratë dhe vajzat kosovare, për studime në fusha që ndërlidhen me energjinë, për periudhën kohore 2019-2021, në vlerë rreth 1 milion euro.
Me këtë rast, presidenti Hashim Thaçi është shprehur i lumtur që ky projekt po ndihmon vajzat dhe gratë kosovare që të kenë një shans të zbusin pabarazinë në sektorin e energjisë, ku 90 për qind të të punësuarve janë meshkuj.
Thaçi tha se ndjehet krenar që tashmë po shihen rezultatet e para të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe MCC-s.
“Në një anë kemi papunësi të madhe, në anën tjetër kemi shumë kompani ankohen se nuk po gjejnë punëtorë të kualifikuar, dhe e dyta, gratë kosovare në disa sektorë kanë më pak mundësi punësimi sesa burrat. Pra, ekziston një diskriminim që fillon që në hapat e parë të arsimit. Kështu në disa degë të fakulteteve ka mungesë të vajzave studente. Prandaj, më vjen mirë që sot, Fonacioni i Miliniumit të Kosovës së bashku me MCC kanë bërë një hap për të adresuar këto çështje. Ju sot keni ndarë 1 milion euro për bursa, për vajza dhe gra të Kosovës që të studiojnë në Amerikë. Në këtë mënyrë do t’i ndihmoni ekonomisë të ketë më shumë ekspertë të energjisë, në kohën kur Kosova për investime të mëdha pikërisht në sektorin e energjisë”, u shpreh ai.
Ai foli edhe për dialogun Kosovë -Serbi, ku tha se është krijuar përshtypja se politika kosovare është fokusuar vetëm me dialog, teksa shtoi se jo pak vëmendje ka edhe arsimimi i të rinjve dhe sigurimi i vendeve të punës, ku theksoi se në vitet e pas pavarësisë janë investuar afër 200 milionë euro në renovimin e objekteve shkollore dhe është përmirësuar infrastruktura shkollore, duke rritur pagat e punëtorëve të arsimit, të cilat janë mbi mesataren në rajon.
Karen Sessions, presidente e Millennium Challenge Corporation, krahas ftesës që pati për gratë dhe vajzat që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij programi, tha se ky projekt forcon mundësitë ekonomike për gratë dhe vajzat kosovare.
“Projekti forcon mundësitë ekonomike dhe ofron financim përmes programit vendor për bursa, një program të kryerjes të praktikës dhe të asistencës teknike. Fuqizimi i mundësive për punësim është me rëndësi thelbësore për ta zvogëluar varfërinë dhe për të rritur zhvillimin ekonomik. Shumë prej investimeve tona mëtojnë që të rrisin pjesëmarrjen e grave në sektorët që paguhen më mirë, ku ato historikisht kanë qenë të nënpërfaqësuara. Ne besojmë që vendet nuk mund t’ia dalin mbanë, përveç nëse ia dalin mbanë edhe gratë. Dhe, programi si ky e bën të mundur një gjë të tillë”, tha Sessions.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se në sektorin e energjisë, Kosova do të investojë 3 miliardë euro në 10 vitet e ardhshme. E sipas tij, investimet që do të behën në fusha të ndryshme kërkojnë ekspertë të cilët po i mungojnë vendit.
Sipas tij, programi “Women in Energy” është një mundësi e shkëlqyer që vajzat të shkollohen në sektorin më premtues për të ardhmen që është ai energjetik.
“Për 10 vjetët e ardhshme pritet të investohen 3 miliardë euro, të cilat janë jashtëzakonisht shumë. Pra po flasim për një sektor, për një industri që do të jetë punëdhënësi kryesor për 10 vjetët e ardhshme. Mijëra e mijëra vende të punës do të gjenerohen në sektorin energjetik, qoftë në energji të ripërtërirë ku do të investohen mbi gjysmë miliard euro, qoftë në energji të kapaciteteve që janë më stabile ku do të investohen rreth 1.8 miliard euro, në rehabilitim apo termocentral të ri. Prandaj, të gjitha këto fusha kërkojnë ekspertë dhe këta ekspertë na mungojnë”, tha ai.
E mesazh për hapjen e këtij programi ka dërguar senatorja e SHBA-së, Joni Erst, e cila tha se përmes këtij programi po hapet një kapitull i ri në mes të dyja vendeve, përmes të cilit ndihmohen gratë që përveç studimeve të bëhen lidere të vërteta.
Ndryshe, për të pasur të drejtë aplikimi për bursat, kandidatet duhet të kenë së paku 18 vjeç, diplomë të shkollës së mesme, njohuri të mira të gjuhës angleze, të kenë përkushtim për të punuar në sektorin energjetik në Kosovë dhe pasion për të punuar.