Radiotelevizioni i Kosovës, përmes tenderit të hapur, ka marrë 16 vetura me qira, në vlerë të gjysmë milioni eurosh, për 5 vjet.
Kompania fituese e këtij tenderi është “ATLLAS-N”.
Për këtë tender dhe kontratën tjetër të fituar nga kompania e aktores Teuta Krasniqi, Vetëvendosje ka kërkuar përgjegjësi nga menaxhmenti i transmetuesit publik.
Vlera e kontratës së lidhur me motrën e shefit të deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, është 216 mijë euro, raporton KTV.
Teuta Krasniqi, produksioni i së cilës fitoi këtë tender i ka mohuar akuzat e tilla, duke thënë se tenderi iu dha për shkak të cilësisë së projektit që është duke e realizuar.
Zogiani ka thënë se dyshime për korrupsion ka edhe në tenderin për nevojat e RTK-së për serverë, në vlerë të 438 mijë eurove.
KTV-ja ka pyetur për këto menaxhmentin e RTK-së, por ai nuk ka kthyer përgjigje.
Shqetësime për lidhjen e këtyre kontratave ka shprehur edhe Sindikata e Pavarur e RTK-së.
Kjo sindikatë ka reaguar ashpër kundër këtyre kontratave me kosto të lartë financiare, të lidhura nga menaxhmenti i RTK-së me producentë të pavarur.