Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se taksa ndaj mallrave serbe ka kryer efektin dhe ka kaluar për konsum të brendshëm.
Duke përsëritur në Rubikon të KTV-së se ideja për vënien e kësaj takse ishte e partisë së tij, Veseli ka thënë se tash taksa është kthyer në konsum të brendshëm duke thumbuar kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili po refuzon të pezullojë taksën.
“Efekti i saj është kur e përball vetëm Serbinë mirëpo ka kaluar në konsum të brendshëm. Ishte një veprim i drejtë kundër Serbisë mirëpo kaloi në konsum të brendshëm”, ka thënë Veseli.
“Ne kemi një iniciativë të SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë për një marrëveshje historike me Serbinë. Edhe BE, njëjtë edhe SHBA janë shumë të vendosur, synojnë mbylljen e konflikteve në Ballkan”.
“A do të duhej që taksa t’i shërbente dialogut apo përmes saj të merreshim vesh për marrëveshjen me Serbinë. Ne po flasim për një vendimmarrje që është racionale dhe Kosovën e bën më të fuqishme ndaj Serbisë”, ka shtuar më tej ai.