Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, i ka quajtur spekulime lajmet se do të vijë në krye të një qeverie të mundshme teknike. Se nuk ka pasur kurrfarë bisedimesh për një qeveri gjithëpërfshirëse kanë deklaruar edhe zyrtarë të PDK-së, të cilët kanë thënë se zgjidhja e çfarëdo çështjeje mund të vijë vetëm nëpërmjet vullnetit të partnerëve të koalicionit qeverisës, shkruan Gazeta “Zëri”.
Si pasojë e mosarritjes së një uniteti rreth çështjeve nacionale, siç është dialogu me Serbinë, ditëve të fundit është shpërfaqur ideja për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, ku do të merrnin pjesë të gjitha forcat politike, pozitë e opozitë, për një periudhë të caktuar kohore.
Teksa kanë folur rreth negociatave me Serbinë dhe rëndësisë së këtij procesi, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) para pak ditësh u kanë bërë thirrje partive politike që të ulen dhe të bisedojnë për një qeveri gjithëpërfshirëse.
Por një gjë të tillë e ka kundërshtuar partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK-ja, zyrtarë të së cilës kanë thënë se nuk ka nevojë për opsione të tilla derisa Qeveria aktuale është duke i kryer siç duhet obligimet e saja.