Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, ndaj të cilit Bashkimi Evropian aplikon regjim të vizave. Qytetarët e vendit kanë shumë vështirësi të marrin viza, andaj kjo ua pamundëson lëvizjen e lirë.
Liberalizimi i vizave po proklamohet me vite të tëra, por se një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur pavarësisht që Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuar nga Bashkimi Evropian.
Ndërsa, në dhjetor të vitit të kaluar Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Johanes Hahn gjatë një vizite që pati në Kosovë tha se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të shtyhet të paktën deri në vitin 2020.
E, në shtator të vitit të kaluar, Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash rekomandimin e Komitetit për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Edhe pse u tha se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, vendi ynë ka ngecur në këtë proces.
Mirëpo, se kur saktësisht qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza për Gazetën Alo ka folur raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes.
Soltes, ka thënë se nuk mund të humben shpresat pasi që sipas tij liberalizimi i vizave mund të ndodhë në këtë vit.
“Sa më shpejt që shtetet anëtare të japin pëlqimin e saj, aq më mirë. Çdo gjë është e mundur dhe mendoj se nuk do të humbasim shpresën se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit”, ka thënë Soltes për Gazetën Alo.
E, derisa Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ende nuk e ka futur në agjendën e takimeve çështjen e vizave për Kosovën, Soltes ka thëne se nuk e din se kur mund të ndodhë kjo, por thotë se diplomacia e Kosovës ka bërë shumë sa i përket kësaj çështje.
“Unë nuk mund të parashikoj këtë datë, por përsëri e vetmja gjë që mund të them është se unë shpresoj se kjo do të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Diplomacia e Kosovës ka bërë shumë në diplomacinë e tyre dypalëshe në marrjen e regjimit pa viza. Fakti është se Komisioni Europian si dhe Parlamenti Evropian dhanë pëlqimin dhe dritën jeshile kështu që ne të gjithë presim që shtetet anëtare të vazhdojnë me procesin tani”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, i pyetur rreth asaj se sa po paraqesin problem pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, Soltes deklaron se ky nuk është problem i madh.
Thotë se edhe këto pesë vende duhet ta shohin rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Unë nuk e shoh këtë si një problem të madh. Për shembull, Rumania si një nga pesë vendet anëtare jo-njohëse, tani e ka presidencën e Këshillit dhe megjithëkëtë, ata kanë përcaktuar katër fusha kryesore ku ata dëshirojnë të përqendrohen gjatë presidencës së saj në Këshillin Evropian. Një prej tyre është një i ashtuquajtur “Evropa, një aktor më i fuqishëm global” nën të cilin ata kanë përcaktuar rëndësinë e mbështetjes së zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor dhe një bashkëpunim më të mirë me këtë rajon. Duke pasur parasysh këtë, shpresoj që Rumania dhe katër vendet e tjera anëtare do të shohin rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka shtuar Soltes.
Ndërsa, duke e ditur që tashmë Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave , Soltes ka pasur edhe një thirrje për Bashkimin Evropian.
“Unë mendoj se BE duhet ti përmbahet premtimit të saj dhe të japë regjimin pa viza të Kosovës, pasi që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.
Krerët e institucioneve të Kosovës kanë filluar të premtojnë për liberalizim të vizave që nga viti 2010, por se që nga ajo kohë qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të izoluar./Gazeta Alo/