Drejtoria e Inspeksionit në Mitrovicë, në bashkëpunim me Departamentin e Lojërave të Fatit dhe Policinë, ka bërë inspektime tek lokalet e lojërave të fatit dhe bastoreve, ku pas verifikimit, janë mbyllur 10 lokale që kanë zhvilluar biznesin e lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin.
Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Mitrovicës, nëpërmjet një njoftimi.
Aksioni është zhvilluar në tërë lokacionin e Mitrovicës – në vende ku mungonin licencat e punës, por edhe në ato që vepronin në zona ku ligji s’i lejon, në afërsi të shkollave.
Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka thënë se mungesa e licencave dhe distanca me shkollën, ishte shkaku i ndalesës sepse nuk lejohet zhvillimi i kësaj veprimtarie pa licencë dhe kur nuk është në përputhje me distancën e duhur, largësinë me institucionet arsimore.
“Lojërat e fatit në përgjithësi duhet të operojnë në përputhje me ligjin, duhet të jenë të licencuara, duhet të kenë një largësi prej institucioneve arsimore, komunale, pra, prej atyre publike. Ne kemi kërkuar një rishqyrtim prej ATK-së, që bashkë me ta dhe me Policinë t’i shohim të gjitha lojërat e fatit se a po i përmbushin këto kritere. Kemi gjetur se ato nuk i përmbushin kriteret, dhe në një aksion të sotëm bashkë me ATK-në dhe Policinë kemi mbyllur 10 pika të lojërave të fatit. Ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, ka thënë ndër të tjerash Ahmeti.