Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, flitet se kanë hartuar një dokument me dymbëdhjetë (12) pika, për marrëveshjen Kosovë –Serbi e për të cilën dy krerët e shteteve janë marrë vesh vetëm në parim.
Në formulimin e këtij dokumenti ka marrë pjesë edhe Bashkimi Evropian.
Këtë e ka konfirmuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo thotë se në këtë dokument është përfshirë çështja e korrigjimit të kufijve, Trepça dhe disa çështje të tjera të cilat kanë të bëjnë me trashëgiminë.
“Në qarqe diplomatike flitet për një dokument njëfaqësh, pra marrëveshje të parimeve, e cila do të trajtojë korrigjimin e kufirit, çështjen e kishave, të Trepçës dhe të tjera”, ka thënë Osmani për Express.
Ajo thotë se ky dokumenti në të cilin trajtohen më gjerësisht këto 12 pika nuk do të vijë fare për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke kujtuar se njësoj ishte vepruar edhe me marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit.
“Thuhet që dokumenti përcjellës që i trajton në detaje këto tema, nuk vjen për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, por vetëm ajo e marrëveshjes së parimeve. Pak a shumë kjo është çfarë ka ngjarë në vitin 2013 kur marrëveshja mes Thaçit dhe Daçiqit përfshinte parimet themelore, por marrëveshjet zbatuese të atyre parimeve asnjëherë nuk kanë ardhur për ratifikim në Kuvend” ka shpjeguar Osmani.
Ajo thotë se nuk bëhet fjalë për një dokument final, por për një draft marrëveshje.
Osmani thotë se në hartimin e këtij drafti ka marrë pjesë edhe Bashkimi Evropian.
“Është produkt i negocimit mes dy presidentëve, herë me ndërmjetësimin e BE-së e herë pa të”, potencon deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Për takime të fshehta ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit ka folur edhe historiani dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Florian Bieber.
Ai ka thënë që deklarimet e Thaçit të bëra gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth një ‘korrigjimi të lehtë të kufijve’, tregojnë se Thaçi ka zhvilluar biseda të fshehta me presidentin serb për korrigjimin e kufijve.
Megjithatë, një gjë të tillë e ka mohuar presidenti i Serbisë, duke thënë se asnjëherë nuk është takuar fshehtas me Thaçin.
“Nëse do të ishim takuar fshehurazi, ne do të kishim raporte të mira”, kishte thënë Vuçiq.
Bashkimi Evropian është duke bërë përpjekje të mëdha për fillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ata kanë shtuar presionin ndaj Kosovës për të hequr taksën, në mënyrë që Serbia të pajtohet për kthim në dialog, ndërkohë nuk dihet nëse një dokument i tillë i hartuar nga Thaçi dhe Vuçiq, do të vihet për diskutim në takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel.
Kryeministri Ramush Haradinaj mbetet i vendosur për vazhdimin e mbajtjes së vendimit për taksën, e nga Bashkimi Evropian thuhet se nëse do të hiqet taksa, do të thirret menjëherë një takim mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.