Kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar se për kundër presioneve të shumta, taksën nuk do ta heqin dhe se për taksën nuk do të prishen marrëdhëniet strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Haradinaj në një intervistë për RTV 21, ka thënë se është e vërtetë se ai ndoshta nuk do të mund të udhëtojë për një kohë në SHBA, apo disa vizita amerikane nuk do të realizohen në Kosovë, por mes Kosovës dhe Amerikës ka vetëm një mosmarrëveshje, ajo është taksa, ndërsa në të gjitha temat tjera janë në pajtim të plotë.
“Po vlerësohet se taksa është më e rëndësishme se marrëveshja. Nëse taksa është më e rëndësishme se dialogu, atëherë pse duhet të humbim diçka më të rëndësishme për diçka që nuk është shumë e rëndësishme”, tha ai.
“Është shumë më mirë të ishim bashkë, ashtu siç kemi vendos ta votojmë taksën bashkë dhe nuk është dashtë me dal me mendime të ndara, derisa nuk kemi dakordim dhe pas dakordimit në qeveri do të merrnim një vendim. Nuk është mirë që kemi dal me ide të shpejta, sepse ky vendim është i qeverisë dhe qeverisë duhet më ia lë vendimin”, tha Haradinaj.
Ai ka pohuar se nuk duhet më marrë vendime për hapa prapa, dhe sipas tij taksa është duke treguar rezultat, pasi ka rritje në shitje deri në 25% e produkteve vendore dhe është rritur numri i të punësuarve.