Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një komunikate për media ka shprehur përkrahjen për punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’.
KMDLNj i quan të drejta kërkesat e punëtorëve.
“Është dita e tretë kur një numër i të punësuarve në aeroportin “Adem Jashari” po bëjnë grevë për realizimin e të drejtave që iu takojnë dhe të cilat iu mohohen nga menaxhmenti i këtij aeroporti. Madje, pas ditës së parë të grevës, menaxhmenti i aeroportit për të shembur pakënaqësinë e drejtë të grevistëve mori masa ndëshkuese ndaj tyre duke mos lejuar të hyjnë në hapësirën e aeroportit 9 grevistë me një arsyetim të sajuar se po e pengojnë punën për të punësuarit e tjerë”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
KMDLNj është plotësisht i vetëdijshëm për specifikat dhe rrethanat në aeroport mirëpo ia përkujton menaxhmentit të Aeroportit se e drejta për grevë është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut e cila duhet të respektohet dhe e cila është e garantuar me ligjet e zbatueshme në Kosovë.
“Gjithashtu , edhe organizimi sindikal në kuadër të së cilës greva është njëri ndër mekanizmat për realizimin e të drejtave të mohuara e që është edhe arsye e grevës janë të rregulluara me ligjet e Kosovës prandaj janë të pakundërshtueshme nga të gjithë e në rastin konkret nga menaxhmenti i aeroporti “Adem Jashari””, thekson KMDLNj.
KMDLNj, në kuadër të mandatit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut përkrah kërkesat e drejta të grevistëve të aeroportit “Adem Jashari” duke kërkuar nga menaxhmenti që të mos ndërmerr masa shtrëngimi dhe dënimi ndaj grevistëve sepse ato masa janë të dënueshme me ligj dhe përbëjnë shkelje flagrante dhe të rëndë të drejtave të njeriut.
“KMDLNj-së i janë drejtuar edhe më parë të punësuarit në këtë aeroport ku dëshmojnë për shkeljet që ua bënë menaxhmenti dhe disa raste ka arritur t’i zgjidhë pozitivisht në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës së Kosovës. KMDLNj pati propozuar që të bëhen hetime me rastin e deportimit të 6 gylenistëve përmes këtij aeroporti dhe një fluturim ilegal duke e konsideruar se ky deportim përbënë një hallkë të zingjirit kriminal gjatë deportimit ilegal nga përgjegjësia e të cilit nuk përjashtohet një pjesë e menaxhmentit dhe stafit të aeroportit “Adem Jashari””, thekson në fund KMDLNj.
Çfarë po ndodh në Aeroportin e Prishtinës – aty shkon edhe Njësia Speciale e Policisë
Njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë shkuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ndërsa punëtorët e Aeroportit kanë hyrë në ditën e tretë të grevës.
Policia është ftuar në aeroport shkaku i grevës dhe nëse mund të ketë tensionim te situatës të njëjtit janë të udhëzuar të veprojnë për të mbajtur rendin brenda objektit të aeroportit.
———————–
A është mbyllur Aeroporti i Prishtinës? – flet Ministri i Brendshëm
Për grevën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ka ndërhyrë edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Kjo e fundit ka identifikuar 11 shkelje nga ANP-ja, për të cilat është kërkuar intervenim urgjent, në të kundërtën do të pezullohet aktiviteti i aeroportit. Ministri i brendshëm, Ekrem Mustafa, ka thënë se aeroporti nuk është mbyllur.
“Nuk e kemi mbyllë aeroportin, kjo ka ndodhë për shkaqe të grevës. Ministria e Punëve të Brendshme i ka identifikua 11 shkelje që i ka bërë menaxhmenti. Nëse të njëjtit nuk i evitojnë shkeljet nuk ka se si të funksionojë aeroporti. Ne ua kemi tërhequr vërejtjen, menaxhmenti është i obliguar me dhanë përgjigje, disa nga shkeljet i kanë evitu… Nëse nuk i respektojnë procedurat nuk munden me funksionu, sepse nuk guxojmë me rreziku sigurinë ndërkombëtare”, tha Mustafa për Express
————————-
Greva bllokon Aeroportin e Prishtinës, anulohen disa fluturime
Dy fluturime janë anuluar të cilat ishin paraparë që sot të fluturojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Ato janë realizuar nga Shkupi. E gjithë kjo si pasojë e grevës që punëtorët e ANP’së janë duke e mbajtur që tre ditë.
E greva e Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë po vazhdon edhe sot, kjo pasi përpjekjet për të dialoguar me menaxhmentin rreth kërkesave të tyre deri më tash nuk kanë treguar rezultate.
Nëse në dy ditët e mëparshme kemi pasur grevë njëorëshe, respektivisht dy orëshe, sot greva do të zgjasë 6 orë. Ajo do të nisë në ora 08:00 dhe do të përfundojë në ora 14:00. shkruan Express.
Pesë kërkesat e tyre kyçe të punëtorëve karshi menaxhmentit të Aeroportit të Prishtinës janë kompensimi dhe benefitet për rrezikshmërinë, të eliminohen dallimet në pagesë në rastet ku punëtorët kanë detyrat dhe përshkrimin e njëjtë të punës, orët e njëjta të punës duke ngritur pagat e ulëta në nivelin e barabartë me kolegët, pagesën për përvojë të punës, orët e punës gjatë vikendit të paguhen, si dhe pagesa e shujtës.
Në dy ditët e mëparshme, greva ka shkaktuar vonesa dhe tollovi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke bërë që shumë fluturime të shtyhen.