Fjalë Kyçe

Sholtes: Të gjithë i bëjnë kërkesa Kosovës, BE t’i ketë parasysh pasojat për mosliberalizim

Sholtes: Të gjithë i bëjnë kërkesa Kosovës, BE t’i ketë parasysh pasojat për mosliberalizim

Ditë më parë komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn vizitoi Kosovën ku kërkoi heqjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Gjatë kësaj vizite ai foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave dhe theksoi se ky proces do të shtyhet deri në vitin 2020.

Por, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, mendon se Bashkimi Evropian duhet t’i realizojë premtimet dhe t’i sigurojë Kosovës lëvizje të lirë pa viza pasi vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Në një përgjigje për lajmi.net, Sholtes ka thënë se i kupton edhe reagimet e institucioneve kosovare për shkak të bllokadave të fundit por shton se është dashur të përdoren masa më pak radikale.

“Plotësisht e kuptoj reagimin e Kosovës për shkak të bllokadave të ndryshme që kanë ndodhur së fundmi, por në shpirtin e normalizimit të raporteve, është dashur të përdoren masa më pak radikale. Në të njëjtën kohë, reagimi i Kosovës është i kuptueshëm sepse nuk është e drejtë që të gjithë vetëm të kenë kërkesa për ta, por kur vjen momenti për të theksuar se edhe ana tjetër që është BE-ja, duhet të reagojë, ata janë duke shtyrë vendimin për liberalizim të vizave”, ka thënë Sholtes.

Sipas tij, e vetmja mënyrë për të gjetur stabilitet në rajon është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

“Është me rëndësi të jeni të qartë se në mënyrë që të keni raporte të mira fqinjësore dhe stabilitet në rajon, është e rëndësishme që të gjitha palët e përfshira duhet të shtyjnë përpara normalizimin e raporteve dhe vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi kjo është e vetmja mënyrë për të gjetur zgjidhje paqësore e cila do ta ndihmojë procesin e gjetjes së një zgjidhjeje se si të përmirësohet situata në rajon”, është shprehur raportuesi evropian për Kosovën.

Sholtes ka theksuar se Këshilli i Evropës dhe BE duhet të mendojë thellë se çfarë do të thotë shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe çfarë pasoja mund të ketë pas saj.

Për shkak të mosliberalizimit të vizave dje Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të opozitës. Kjo e fundit po e kërkon edhe dorëheqjen e qeverisë Haradinaj për shkak të mospërmbushjes së premtimeve të dhëna.