Një maqedonase është deklaruar në dokumente se është shqiptare vetëm për ta zënë vendin e punës që ishte hapur për shqiptar.
Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve pranon në punë udhëheqës sektori të përkatësisë maqedonase edhe pse në konkursin e shpallur nga Agjencia e Administratës vendi ishte i paraparë për një shqiptar.
Në shpalljen publike me numër 359/2018, në Sektorin për siguri, trajtim dhe trajnim në kuadër të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, sipas planit vjetor të Agjencisë së Administratës, kushti i parashikuar për balancimin e përfaqësimit adekuat parashikonte punësimin e një nëpunësi nga përkatësia etnike shqiptare.
Bëhet fjalë për Biljana Zefiq e cila në aplikim është deklaruar shqiptare, pavarësisht se përkatësia e saj është maqedonase.
Alsat kontaktoi me telefon Zefiqin duke iu drejtuar në gjuhën shqipe, por kjo e fundit pranoi se nuk din shqip.
Ajo thirrej se është shqiptare katolike dhe se familja e saj i takon të njëjtës përkatësi religjioze.
Zefiq gjithashtu thirret në profesionalizmin e saj si nëpunëse në Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve për 32 vite, duke shtuar se ka qenë kandidatja e cila i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ka marr pikët maksimale për të fituar vendin e punës.
Nga Agjencia e Administratës thonë se gjatë procedurës nuk ka pasur shkelje, ndërsa Zefiq ka keqpërdorur hapësirën ligjore.
Ligjin për shërbyesit administrativ parashikon përsëritjen e konkursit në rast se në herën e parë nuk ka kandidat nga përkatësia e kërkuar.
Për faktin që Zefiq është deklaruar shqiptare dhe për faktin që Komisioni vlerësues nuk ka kompetenca për të konstatuar përkatësinë etnike të kandidatit, konkursi rezulton të kenë qenë ligjor.