Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar me zhvillimet e fundit politike që po ngjajnë në vend.
Ai në rrjetin social, Facebook, akuzon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin se e ka vënë shtetin tonë në “aksham pazar” dhe po i fal Serbisë pjesë të Kosovës, shkruan Gazeta Alo.
Ky është postimi i plotë i tij:
Opsione për Kosovën, sa të duash. Me 13 pika, me 16, me 17, me 22 pika! Sepse i ashtuquajturi president i Kosovës e ka vënë shtetin tonë në pazar dhe po thotë se u bë aksham. Kosovën don ta çmontojë dhe ta falë ose shesë pjesë-pjesë: dikujt Trepçën, tjetërkujt Ujmanin, me përqindje KEK-un, Mitrovicën ta bëjë Bërçko, kishat e manastiret ortodokse Hilandar, dhe, statuse speciale gjithandej diku 35 e diku 99 vjet. Çka i bie kjo, si Bosnja, si Palestina apo si Hong Kongu? Paj, të trija këto. Ama në fund të dialogut na vjen njohja, thotë edhe qeveria porsi ai – pra, do të njihet ajo që mbetet nga Kosova, ndërkohë që e kanë pranuar mosnjohjen e Serbisë. Këta njerëz edhe pavarësinë ta varin.