Krenar Jemini nga Mushtishti i Suharekës gjatë ditës së djeshme ka ndërruar jetë në vendin e tij të punës.
Institucionet kompetente gjatë natës së kaluar dhanë detaje për rastin, ku u theksua se i njëjti kishte ndërruar jetë gjatë pastrimit ku mbaheshin derivatet e naftës.
Ndërsa, sot lidhur me këtë rast ka reaguar edhe vet kompania “Lab Oil”, ku ka treguar se si ka ndodhur ngjarja, shkruan Gazeta Alo.
Në njoftimin e kompanisë thuhet se i ndjeri Jemini në momentin kritik ka qenë duke kryer punët e tij në fabrikë dhe ka shkarë në shiritin transportues të fabrikës, ku ka marrë lëndime vdekjeprurëse.
Njoftimi i plotë i kompanisë:
Kompania Lab-Oil nga Prishtina njofton opinionin publik se më datë 24.02.2019 në fabrikën e Petrokoksit që gjendet në Preoc (magjistralja Prishtinë-Ferizaj), aksidentalisht ka humbur jetën punëtori ynë, Krenar Jemini (1997).
I ndjeri Jemini në momentin kritik ka qenë duke kryer punët e tij në fabrikë dhe ka shkarë në shiritin transportues të fabrikës, ku ka marrë lëndime vdekjeprurëse.
Kompania Lab-Oil me anë të kësaj komunikate dëshiron që të bëjë me dije për opinionin se kjo është e vërteta e ngjarjes tragjike që ka ndodhur në kompaninë tonë.
Familjes së ish-punëtorit tonë, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta!./Gazeta Alo/