Fjalë Kyçe

Frank-Lajqi: Hidrocentrali s’e dëmton veç Lumbardhin, por gjithçka rreth tij

Frank-Lajqi: Hidrocentrali s’e dëmton veç Lumbardhin, por gjithçka rreth tij

Ellen Frank-Lajqi, gjeografe dhe ambientaliste, si dhe një nga organizatoret e protestës për të kundërshtuar projektin e hidrocentraleve në Lumbardh në Pejë, ka thënë se hidrocentralet në këtë lum nuk janë shkatërrues vetëm për lumin, por për gjithçka rreth tij.

Në Express Intervistën në KTV, Frank-Lajqi ka thënë se pos lumit, me hidrocentrale do të shkatërrohej natyra përreth tij, ekosistemi, madje edhe turizmi, për çka ajo thotë se ndërtimi i hidrocentraleve bie ndesh me planin strategjik për zhvillim të qëndrueshëm në Pejë.

“Është ide shumë e rrezikshme. Nuk ia vlen që uji i Lumbardhit të shfrytëzohet për energji. Në Kosovë është vetëm një hidrocentral i madh që s’e dëmton natyrën. Të gjithë tjerët janë të vegël e që e dëmtojnë”, ka thënë ajo duke shtuar se edhe ekspertët e kanë vlerësuar planin për ndërtim të hidrocentraleve si të papërshtatshëm.

Frank-Lajqi ka thënë se plani strategjik për zhvillim dhe ndërtimi i hidrocentraleve bien ndesh me njëra-tjetrën.

“Vitin e kaluar ishte planifikuar zhvillimi strategjik me bazë në energji dhe turizëm. Por kam menduar se si mund të investohet në energji kur prishet turizmi? Shumë biznese private në Pejë dhe Grykën e Rugovës janë ngritur në këmbë. Edhe janë pro ekoturizmit edhe po e prishin natyrën. Turistët vijnë në Kosovë sepse konsiderohet vendi i fundit i virgjër në Evropë. Por nuk e shohin ashtu kur vijnë këtu. Turizmi është vetëm një gjë që rrezikohet, aty dëmtohet edhe natyra e shkatërrohet ekosistemi, e shumë banorë do të pësojnë”, ka vazhduar Frank-Lajqi.

Ajo ka thënë se kompania që është paraparë të ndërtojë hidrocentralet në Grykën e Rugovës, “Kelkos” ka bërë shumë shkelje me ndërtimet tjera në Deçan.

“Më shumë se 80 hidrocentrale të vogla janë planifikuar në Kosovë ose ka filluar ndërtimi. Deçani është shembull i mirë. Afër Pejës dhe kompania e njëjtë. Aty mund të shihet çfarë shkatërrimi është bërë aty, më 2014 kur ka filluar ndërtimi, ‘Hidrodrini’ pati reaguar për rrezikun. Pjesa më e madhe e ujit është futur në gypa. Është e shkruar 30 për qind, por me e pa në realitet aty s’ka mbetur asnjë pikë. U bë si Sahara. 37 mijë banorë janë furnizuar me ujë nga Lumi i Deçanit. Për herë të parë aty ka pasur tharje”, ka shtuar ajo.

Sot u protestua në Pejë për të kundërshtuar projektin e hidrocentraleve, që kishte nisur më 2013, në një marrëveshje mes komunës dhe “Kelkosit” për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në fshatrat e Rugovës. Pas protestës, kryeministri Ramush Haradinaj pezulloi projektin duke kërkuar sqarime shtesë, por Frank-Lajqi thotë se ai duhet të anulohet tërësisht.

Ka treguar se nesër do të takohen me dy ministritë që kanë lidhje me projektin dhe ka thënë se do të dorëzojnë një deklaratë me më shumë se 100 nënshkrime të shoqatave.

“Do të kërkojmë të bëhet studim se sa ka ujë në Kosovë. Të shihen shkeljet që ka bërë ‘Kelkos’ në Deçan. Të bëhet një trup i pavarur për krejt hidrocentralet në Kosovë e të shihet se çka po ndodh në Kaçanik, Dragash, Podujevë e veri. Hidrocentralet janë si kërpudhat”, ka shtuar ajo.

Në fund, Frank-Lajqi ka porositur që nëse miratohet projekti, “fitimi mund të bëhet sot, por nesër do të vijë rreziku”.