Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javë më parë i ftoi për një darkë në shtëpinë e tij të re, në periferi të Prishtinës, udhëheqësit e koalicionit qeverisës të vendit, dhe kryeministrin e Shqipërisë. Takimin te Thaçi bëri publik i biri i presidentit, i cili publikoi një fotografi nga ndeja.
Shtëpia e Thaçit, në Çagllavicë, është bërë objekt diskutimesh dhe akuzash në Kosovë.
Por sa ka kushtuar shtëpia e Presidentit të Kosovës?
Presidenti ka dhënë një përgjigje për Report Tv, në Shqipëri, por s’është se ka treguar shumë.
“Realisht, pas 20 viteve të angazhimeve të pasluftës, duhej që ta kisha një adresë, kështu që gjithçka është e raportuar në Agjencinë e Antikorrupsionit”, ka thënë fillimisht ai.
“Gjithçka është transparente dhe mund të verifikohet”, ka shtuar Thaçi.
“Është një angazhim modest për familjen nga burimet e mia familjare”, është shprehur Thaçi.
Ai ka folur edhe për ndejën në shtëpinë e tij.
“Ishim dakordësuar edhe me kryeministrin e Kosovës, me kryeparlamentarin Veseli dhe me z. Limaj dhe z. Pacolli, kemi biseduar edhe me z. Rama dhe jemi dakordësuar që të takohemi në një ambient privat, kështu që unë kam qenë si mikpritës i nderuar”, ka thënë Thaçi.
“Ka qenë një ndenje e dinjitetshme, mirëkuptuese dhe në një frymë shumë tolerante, në diskutimin e të gjitha çështjeve që kanë qenë të arsyeshme në rrafshin edhe privat, edhe personal, por edhe politik e institucional”, ka shtuar Thaçi.
“Është diskutuar vetëm në rrafshin pozitiv për të gjitha çështjet dhe në asnjë rrethanë as ballafaques dhe as negativ për askënd”, ka treguar ai.
Thaçi është pyetur se si u tejkaluan tensionet mes tij e Haradinajt, apo mes Haradinajt e Ramës, në këtë ndenjë.
“Unë nuk kam parë ndonjë tension apo ndonjë ballafaqim mes kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë, madje mund të them se ka pasur një kimi që u ka funksionuar shkëlqyeshëm në atë takim, në atë bisedë sepse unë kam qenë si nikoqir shumë i heshtur dhe mendoj se hapat që janë ndërmarrë prej të dyja qeverive në takimet e fundit, janë hapa konkrete të një bashkëpunimi që po jep frytet e veta konkrete”, ka deklaruar Thaçi.