Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj ka njoftuar sot se do të udhëtojë së shpejti për në Arabinë Saudite me ç’rast do të mbahet një forum për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Arabisë Saudite.
Hoxhaj ka pritur sot në takim ambasadorin jo-rezident të Arabisë Saudite në Kosovë Abdelmomen Mohammed Sharaf, me të cilin kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, dhe plane konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Hoxhaj përmes Facebookut njoftoi se takimi për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik pason forumin ekonomik të organizuar nga zëvendëskryeministri Hoxhaj, që është mbajtur në Kosovë në vitin 2018, ku shumë biznesmenë nga Arabia Saudite të udhëhequr nga Oda Ekonomike e atjeshme kanë vizituar Kosovën duke takuar biznesmenë të shumtë nga Kosova.
“Kam pritur sot në takim ambasadorin e ri jo-rezident të Arabisë Saudite, Abdelmomen Moammed Sharaf, me të cilin kam disktuar për raportet dypalëshe mes Kosovës dhe Arabisë Saudite, si dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Bashkëpunime të reja, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik, do të diskutojmë edhe gjatë vizitës sime në Arabinë Saudite të cilën do ta realizoj së shpejti”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Gjatë ditës së sotme, Hoxhaj ka pritur edhe ambasadorin e Malajzisë, Abdul Malik Melvin Castelino, me të cilin po ashtu kanë diskutuar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.