Fjalë Kyçe

Sot bëhen kaq vite kur Thaçi u zgjodh president i Kosovës

Sot bëhen kaq vite kur Thaçi u zgjodh president i Kosovës

Kryetari i atëhershëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u zgjodh president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike më 26 shkurt të vitit 2016.

Ai fitoi me 71 vota në raundin e tretë pasi në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve.

Zgjedhja e tij u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit diskutuan kundër zgjedhjes së zoti Thaçi në postin e presidentit duke e akuzuar atë dhe kryeministrin Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës.

Në debatet e tyre ata vunë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës shfaqën dyshimin se kandidati për president Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.

Derisa po zhvilloheshin raundet e votimeve, jashtë parlamentit, policia përdori gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që hodhën shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.Hashim Thaçi detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës, shkruan KP.

Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014).

Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri më dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për president të Kosovës.