Aleksandar Vulin ka thënë se ministrja e re e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Dijana Zhiviq nuk i përfaqëson serbët nga Kosova.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin ka thënë se ministrja e re e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Dijana Zhiviq nuk i përfaqëson serbët nga Kosova sepse nuk e mori mbështetjen e tyre në zgjedhje.
Por, sipas tij, ajo i shërben Qeverisë nga Prishtina për përfaqësim multietknik.
Në deklaratën e tij për “TV Pink”, ai theksoi se Zhiviq ka ndikim tek serbët në Kosovë aq sa kishte nxjerrë njerëz në protestën në Graçanivë kundër zyrtarëve nga Beogradi, ajo dhe pesë, gjashtë persona, transmeton lajmi.net.
“Nuk është e pazakonshme që të kërkohet një serb për t’u emëruar në atë pozitë vetëm për të qenë shembull i përfaqësimit multietknik”, deklaroi Vulin. Ai po ashtu theksoi se e ngjashme është edhe inkuadrimi i serbëve në ushtrinë e Kosovës.
“Pyetem a është i vetëdijshëm ai serb që hyn në atë ushtri dhe do të marshojë me flamurin e UÇK-së, duke u ftuar në traditat e një organizate terroriste e cila kishte vrarë familjarët e tij”, theksoi ai.