Fjalë Kyçe

A mund të bëhet Ushtria e Kosovës pa Listën Serbe?

A mund të bëhet Ushtria e Kosovës pa Listën Serbe?

E ardhmja e FSK-së pritet që të vendoset të premten e javës së ardhshme, kur deputetet e Kuvendit pritet që të votojnë për projektligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri.

Nga ajo ditë do të nisë transformimi i FSK-së në Ushtri, proces i cili mund të zgjasë me vite.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, të hënë pas mbledhjes së Kryesisë deklaroi se më 14 dhjetor do të bëhet transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Mirëpo në ligjet për transformimin e FSK-së për shndërrimin në ushtri, janë të nevojshme dy të tretat e votave të minoriteteve.

E lidhur me këtë në një përgjigje për lajmi.net, Leke Batalli, nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se sipas Kushtetutës, votat e minoriteteve kushtëzojnë vetëm miratimin e legjislacionin me interes vital, sipas nenit 81, dhe amandamentimin e Kushtetutës.

“Sipas Kushtetutës, votat e minoriteteve kushtëzojnë vetëm miratimin e legjislacionin me interes vital, sipas nenit 81, dhe amandamentimin e Kushtetutës. Pasi që ushtria po formohet brenda aranzhimit aktual Kushtetues së Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk duhet të amandamentohet Kushtetuta, pra nuk nevojiten 2/3 e votave të minoriteteve. Andaj ngelet të shihet nëse ligjet e reja rreth FSK-së janë paraparë në nenin 81 të Kushtetutës, rreth Legjislacionit me interes vital, për miratimin apo ndryshimin e të cilave kërkohet shumica e votave të deputetëve nga të pranishëm nga minoritetet. Pasi që ligjet në lidhje me siguri nuk janë paraparë në nein 81, del se Kuvendit nuk i duhet shumica e tyre për të miratuar këtë pako ligjore”, ka thënë Batalli.

Ai po ashtu ka thënë se funksioni i një ushtrie nuk varet na emërtimi i saj, por nga kapaciteti për të qenë ofrues të mbrojtjes së një shteti.

Sipas tij, çështja e kompetencave të plota nuk ndërlidhet me procedurën e miratimit të projektligjeve por me përmbajtjen e projektligjeve dhe me aftësinë e shtetit të Kosovës për të realizuar atë që parashihet në to.

“Funksionimi i një ushtrie nuk varet nga emërtimi i saj por nga kapaciteti për të qenë ofrues të mbrojtjes së një shteti. Rrjedhimisht, çështja e kompetencave të plota nuk ndërlidhet me procedurën e miratimit të projektligjeve por me përmbajtjen e projektligjeve dhe me aftësinë e shtetit të Kosovës për të realizuar atë që parashihet në to. Thënë ndryshe, se a do të jetë në gjendje të përballojë ekonomikisht krijimin e një ushtrie të mirëfilltë”, ka thënë Batalli.