Sipas kompanisë, Krenar Jemini kishte kontratë pune dhe të gjitha kushtet e nevojshme
Për dallim nga një ditë më parë, dyert e kompanisë gjatë së martës u hapën për të.
Madje kryeinspektorin Basri Ibrahimi, e priti edhe drejtori menaxhues i kompanisë, ku vdiq 21 vjecari Krenar Jemini, të dielën.
Bashkë me udhëheqësit e kompanisë, Inspektorati u drejtua te vendi i ngjarjes, raporton T7.
Këtu ata do të inspektonin hapësirën e punës së të riut nga Mushtishti Suharekës, angazhimi i të cilit ishte kontrolli teknik i makinerive.
Prezent ishte inspektori Muharrem Kurtaj, i cili po parashtronte pyetjet për drejtuesit e kompanisë.
Ai të dhënat po i mblidhte edhe përmes fotografive.
Momenti i aksidentit ishte xhiruar nga kamerat e sigurisë, të cilat i posedon tashmë Prokuroria.
Në anën tjetër, dy ditë pas ngjarjes, Inspektorati i Punës thotë se edhe gjatë së martës morën informata nga kompania.
Basri Ibrahimi arsyetoi sërish kompaninë pse kjo nuk u bë një ditë më parë.
Në anën tjetër, akoma s’ka detaje nga ky institucion se si ndodhi aksidenti.
Drejtori menaxhues i kompanisë, Bislim Muqa tha se punëtorët kanë pajisje të mbrojtjës dhe kushte ashtu si i kërkon angazhimi në këtë kompani.
Sipas drejtorit, Krenar Jemini, nuk kishte për detyrë të hyjë nën shirit, ku edhe u aksidentua.
Sipas Muqës punëtorët e kompanisë punojnë pesë ditë të javës, ndërsa ajo ditë e vikendit kur Krenari ishte duke punuar, do t’i kompensohej gjatë javës.
Ai tha se Krenari kishte kontratë të rregullt pune, gjashtë mujore.