Asamblisti i Kuvendit Komunal, Hevzi Xhelili, dhe anëtari i kryesisë, Riad Rashiti, janë përleshur fizikisht përballë selisë së PDK-së në Gjilan, raportojnë mediet lokale. Arsyeja e përleshjes, sipas raportimeve, ka qenë gara mes Qemal Mustafës dhe Flurim Arifit, si pretendentë për kreun e kësaj dege të PDK-së.
E, lidhur me këtë ka reaguar edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti ka thënë se ka pasur fjalosje mes aktivistëve të PDK-së në këtë komunë dy net më parë, por jo edhe rrahje.
Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se ashtu siç edhe dihet botërisht, dega e PDK-së, në Gjilan ka disa vite që është në gjendje të keqe, shkruan Gazeta Alo.
Sipas tij, ka pasur gjuhë jo të duhur dhe tensione gjatë një mbledhjeje të PDK-së në Gjilan.
Postimi i plotë i Riad Rashitit në Facebook:
Pas daljes në ndonjë portal, ndjehem i detyruar të reagojë (me qëllim sqarimi për strukturën e PDK dhe për publikun) lidhur me zhvillimet e fundit në procesin zgjedhor të PDK-së në Gjilan.
Ashtu qysh dihet botërisht, dega e PDK-së në Gjilan ka disa vite që është në gjendje të keqe. Tash, me nisjen e procesit zgjedhor tensionet janë në rritje të paarsyeshme. Këtë e bëjnë sidomos disa individë që po e shohin fundosjen politike me ç’kapjen e paevitueshme të degës së PDK-së e që është proces fare normal përgjatë rrugës reformuese të saj.
Jo lehtë ka nis procesi zgjedhore më degën e Gjilanit. Ata që ia kanë shkaktu 4 palë humbje të zgjedhjeve lokale dhe nacionale, dhe ata që e kanë mjelë për 20 vite degën e PDK-së, janë duke i bërë përpjekjet që edhe njëherë ta mbajnë degën në pronësi ekskluzive për veti.
Synimi i shumicës së strukturës për ta ri-kthyer Qemajl Mustafën në krye të degës, me qëllim stabilizimi e përparimi, normalisht që ka frikësuar (sërish paarsyeshëm) individët e caktuar, të cilët nuk zgjedhin mënyra për ta penguar dhe ndalur këtë proces shumë të rëndësishëm për PDK-në.
Sa i përket daljes në publik se kanë kërsitur grushtet në PDK-në e Gjilanit, kjo nuk qëndron aspak. Ka pasur tensione dhe gjuhë jo të duhur e asgjë më shumë. I kuptoj disa individë që përmes mediave, duke shpifur, synojnë denigrimin e individëve dhe të degës së PDK-së. Rasti i njëjtë kishte ndodhur në ditën e zgjedhjeve lokale të vitit 2013, kur në portale doli lajmi që Qemajl Mustafa dhe Izmi Zeka u rrahën në selinë e PDK-së përderisa ata pinin kafe bashkë dhe e përcillnin nga selia punën në terren. Dhe normalisht lajmi e merr dheun dhe mediat e bëjnë të veten.
Shumë me keq ardhje e them, që këtë gjendje të rëndë tensionuese për shumë vite në degën e Gjilanit, e krijon ndonjë individ që me vite merret ne tinzia e me dallavere nga prapaskenat. Këta, në vazhdimësi manipulojnë përmes disa personave që janë në strukturat e degës. Me këto veprime e me këto ndërskamca kanë fyer, kërcënuar dhe tashmë kanë përzënë shumë aktivistë nga partia.
Unë besoj që këto fërkime që unë i quaj normale gjatë procesit zgjedhor, do të sjellin suksesin e PDK-së në Gjilan, pas përfundimit të procesit zgjedhor e tutje.
Pavarësisht këtyre tendencave ne do të jemi bashkë, do të dalim të fortë dhe patjetër fitues edhe këtu brenda në degë e sidomos në garën për komunën dhe kuvendin e Kosovës./Gazeta Alo/