Rrugët e tyre politike i kanë ndarë në mënyrën më të keqe të mundshme.
Megjithatë duket se të ikurit nga Lëvizja Vetëvendosje ende kanë dobësi për liderin e VV-së, Albin Kurtin, të cilin e shohin si njeriun e duhur për kryeministër.
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se ka disa momente kur mendon se ish-bashkëpuntori i tij, Albin Kurti, është njeriu i duhur për kryeministër të Kosovës.
Ymeri për kallxo.com ka thënë se ka disa momente kur konstaton se Kurti është njeriu i duhur për kryeministër.
Këtë përgjigje ai e ka dhënë kur është pyetur nëse i qëndron prapa asaj që ka thënë në vitin 2016, se e mbështet liderin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës.
“Në Kosovë ka njerëz të ndryshëm të cilët kanë një lloj përshtatshmërie për situata të caktuara dhe momente të caktuara siç ka pasur edhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Në këtë drejtim konsideroj që po, ka momente kur mendoj që Albin Kurti do të kishte me qenë më i përshtatshmi, por ka edhe momente kur unë mendoj që profili i tij publik edhe mënyra se si ai e sheh politikën do të kishin me qenë jo të përshtatshme për Republikën e Kosovës”.
Nuk dihet ende se si do ta perceptojë një deklaratë të tillë kreu i PSD’së, Shpend Ahmeti, marrë parasysh të gjitha përplasjet që i kanë pasur ndërmjet vete me anëtarë të LVV’së, si në Kuvend të Kosovës, Komunën e Prishtinës e në rrjetet sociale.