Në orët e pasdites së sotme, është arrestuar avokati që e kishte raportuar këtë rast, Gazmend Halilaj.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Inspektorati Policor i Kosovës.
“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë vazhduar të ndërmarrin veprime tjera hetimore lidhur me rastin e Drenasit në konsultim të drejtpërdrejtë me Prokurorinë e Shtetit”, thuhet në komunikatë.
Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore sot (27.02.2019) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së arrestuan të dyshuarin e katërt në këtë rast.
I dyshuari me inicialet G.H u arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”- neni 422, “keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin”- neni 239 dhe veprës penale “frikësim gjatë procedurës penale” nga neni 395 i Kodit Penale të Kosovës.
Bazuar në aktvendimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës të dyshuarit G.H i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave tjera sipas Kodit të Procedurës Penale.