“Takim jo shumë i këndshëm me kryetarin e Prishtinës”. Kështu kishte shkruar në një status në profilin e tij në Facebook, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, pas takimit që kishte pasur me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Por, pa dhënë detaje se përse e quajti këtë takim jo të këndshëm.
Ndërsa, sot për Gazetën Alo kryetari Azemi ka shpjeguar në detaje se përse e kishte quajtur këtë takim jo të këndshëm.
Ai ka thënë se që nga janari i vitit të kaluar, kryetari Shpend Ahmeti ka marrë vendim që punëtorët teknik dhe ata të kompanive private por që i ofrojnë shërbime komunës të marrin paga me rritje për 4 për qind por një gjë të tillë nuk është duke e zbatuar.
Sipas tij, të gjithë drejtorët e kaluar që kanë shërbyer në komunë kanë thënë që janë duke bërë llogaritë dhe se shumë shpejt këta punëtorë do t’i kenë mjetet në xhirollogaritë e tyre gjë kjo e cila nuk ka ndodhur ende.
Ndërsa, thotë se në takimin e djeshëm ishte pikërisht Ahmeti i cili i kishte thënë se nuk mund ta zbatojë këtë vendim pa marrë edhe mendimin e Zyrës Ligjore.
“Në takimin që kemi pas Shpend Ahmeti ka thënë, më jepni kohë që të marr edhe mendimin prej Zyrës Ligjore sepse nuk e di a kam të drejtë, kurse në anën tjetër ne kemi vendim, kemi shkresë që mua direkt mu ka drejtu kryetari i Komunës së Prishtinës të vulosur dhe të nënshkruar nga ai që shkruan se çdo rritje që do të ketë në pagat e sektorit publik do të bëhet rritje në mënyrë automatike edhe e këtyre punëtorëve të kompanive private do të thotë dokument zyrtar i nënshkruar dhe tash dokumentin që ai e ka nënshkru thotë se dëshiron ta pyes Zyrën Ligjore”, ka thënë ai.
Azemi , ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryetarit Ahmeti duke thënë se ky i fundit nuk ka “haber” për qeverisje.
Madje, thotë se është vet Ahmeti ai i cili ka premtuar se këta punëtorë shumë shpejtë do të kenë edhe një drejtori të veçantë.
“Vet kryetari disa herë e ka potencu që së shpejti këta punëtorë që kryejnë shërbime për Komunën e Prishtinës shumë shpejtë do të jetë një drejtori e veçantë ku këta punëtorë do të jenë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës dhe nuk do të kenë maltretime nga kompanitë që janë duke u bërë dhe ka dal haptazi për këtë edhe neve katër apo pesë ditë para se ta kishim takimin e djeshit do të thotë kemi bisedu për formën se si do të kthehen këta punëtorë dhe nuk ka pas asnjë telashe”, ka shtuar Azemi për Gazetën Alo.
Sipas, Azemit kryetari Ahmeti madje u ka thënë se për këtë çështje duhet ta marrin edhe pëlqimin nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Ministria e Financave.
“Kjo më bën me dije që ky me të vërtetë nuk e din çka është duke u bërë, por aty ku e vendos nënshkrimin ai është përgjegjës sepse nuk e kemi bërë as në kohën e luftës e as në kohë të jashtëzakonshme. Ai e ka pru shkresën në zyrën time përmes koririt të tij dhe vendimin që e ka pru vet tash thotë duhet me dërgu në Zyrën Ligjore edhe ata me verifiku. Edhe në tenderin që sa herë kanë tenderu kompani që me i kry shërbime komunës në secilin tender shkruan se që në momentin kur rriten pagat në sektorin publik do t’u rriten pagat edhe këtyre punëtorëve të sektorit privat që janë nën menaxhim të komunës dhe të kompanive private”, ka deklaruar ai.
Azemi, thotë se të hënën kryetari Ahmeti do t’u kthejë një përgjigje për këtë çështje me versionin që e jep Zyra Ligjore. Mirëpo, në të kundërtën thotë se do të fillojë me procedura të tjera ndaj Ahmetit pa specifikuar se me çfarë procedura.
“Faktikisht ka mbetur që të hënën të ma kthejë një version që Zyra Ligjore do t’ia jep atij përndryshe unë sigurisht se do të filloj procedurë sepse në moment kur ti nënshkruan diçka ajo është punë kryer. Je kryetar komune kë nënshkruar diçka edhe atë duhet me zbatu patjetër, nëse nuk e zbaton me qejf ke me zbatu me zor, e zbatojnë organet tjera”, ka shtuar Azemi.
Kryetari, Azemi thotë se dje ka shkuar në takim duke menduar se do të u tregohen datat se kur do të bëhen pagesat ëpr këta punëtorë dhe se kur këta punëtorë do të kthehen nën menaxhim të komunës.
“Aty u pa që jo që nuk paska pas bashkëpunim me drejtorët e vet por ai bile në kundërshtim edhe me veprimet edhe vendimet e veta që i ka bërë . Si mundesh me u tërhjek , mundesh me u tërhjek por me u tërhjek duhet të bësh një marrëveshje, një vendim që tërhiqesh nga vendimi që e ke bë më herët për këto arsye, por ti nuk mundesh me thënë nuk po dua unë me pagu 4 përqindëshin kur ne kemi dokument zyrtar tek ne”, ka deklaruar Azemi.
Punëtorët teknik kanë protestuar para Komunës së Prishtinës më 22 janar të këtij viti duke kërkuar 4 përqindëshin dhe kthimin nën menaxhim të komunës./Gazeta Alo/