Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot është liruar nga spitali.
Pas dy ditë qëndrimi në Klinikën e Infektivës në QKUK, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ka dalë nga kjo klinikë, shkruan lajmi.net.
Kurti përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka falënderuar të gjithë stafin që janë përkujdesur për të.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se akoma nuk është shëruar tërësisht dhe terapinë e tij do ta vazhdojë edhe për dy javë të ardhshme.
Postimi i plotë i Kurtit pa ndërhyrje:
Sot dola nga spitali dhe jam mirë.
I falënderohem mjekëve dhe infermiereve në Klinikën Infektive si dhe në atë të Emergjencës në QKUK. Ishin mbi 50 orë të vështira por ndjehesha i sigurt me ta. Ju falënderohem edhe të gjithë juve që më keni dërguar mesazhe inkurajuese.
Infermieret Arbëria, Adelina, Arbenita, Merlina, Miradija, Vildanja, Elmerina, Amirja, Eminja dhe kryeinfermierja Lulja, nga Reparti i Intenzivës së Klinikës Infektive, si dhe mjekët Prof.Shemsedini, Dr.Nderimi e Drejtor Hamdiu, me dijen, përvojën dhe kujdesin e tyre, më nxorën nga kjo krizë shëndetësore. Ata ngadhënjyen mbi sëmundjen time, përkundër kushteve të tyre të punës.
Isha i sëmurë, ende nuk jam shëruar. Dy javë pushim e vazhdim i terapisë janë të nevojshme. Por, më vjen turp të them se isha i sëmurë kur kam parasysh e s’i heq dot prej mendjes pacientët e tjerë aty, në gjendje të rëndë, disa edhe shumë të rëndë. Uroj që t’ia dalin të gjithë, të shërohen e të bëhen sa më mirë. Dëshiroj më të mirën për ta e për familjarët e tyre, dhe e di se mjekët e infermieret do të vazhdojnë përditë të shërbejnë me përkushtim për të gjithë të sëmurët.