Osman Ejupi, anëtar i Bordit të Telekomit gjatë ditës së djeshme është raportuar se gjatë vitit të kaluar kishte punësuar të gjithë fëmijët e tij në ndërmarrjen publike PTK, madje të katër fëmijët ishin punësuar brenda një muaji.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Ka thënë se nëse informacionet e publikuara në media janë të sakta atëherë ai ka thënë se do të kërkojë shkarkimin e Osman Ejupit.
“Ne sot kemi kërkuar të vërtetohet kjo informatë dhe nëse del të jetë ashtu, si ministër i linjës do të kërkoj menjëherë shkarkimin e anëtarit të bordit në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Nepotizmi dhe ushtrimi i ndikimit në punësim janë vepra të patolerueshme. Praktika të tilla janë në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike dhe ligjin e punës”, ka shkruar Lluka në postimin e tij në Facebook,
Qershori i vitit të kaluar ka rezultuar të jetë muaji fatlum për familjen e Osman Ejupit. Brenda pak ditësh, të gjithë fëmijët e tij arritën të punësohen në njërën nga ndërmarrjet publike të Kosovës, ku babai i tyre është hiç më pak se njëri nga drejtorët e Bordit të Telekomit.
E para që u punësua ishte Artina Ejupi-Tolaj, e cila mori kontratën më 18 qershor të 2018-s. Një javë me vonë, në Telekom, Artinës iu bashkuan edhe motra dhe vëllezërit e saj.
Më 25 qershor, kontratat i morën edhe Arxhina Ejupi-Islami, Ardian e Armend Ejupi. Që të gjithë janë të punësuar si agjentë të shitjes, rroga e të cilëve sillet rreth 800 euro.