Pak më parë është raportuar në media, se zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerët, janë dënuar me gjobë për gjuajtjet me armë zjarri në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limajt në Malishevë.
Lidhur me këtë rast ka reaguar zv.Kryeministri Gashi, i cili ka thënë se ka qenë keqinformim nga mediat.
“Shfrytëzoj rastin të sqaroj opinionin publik, se përkundër raportimit jo-korrekt të disa mediave, nuk bëhet fjalë për “gjuajtje me armë zjarri”, por edhe sipas kualifikimit të Prokurorisë dhe Forenzikës së Republikës së Kosovës që ka ekzaminuar mjetet e përdorura, bëhet fjalë për “imitim arme me gaz”, e cila përveç zhurmës që krijon nuk prodhon predhë apo çfarëdo materiali tjetër me të cilin mund të shkaktohet ndonjë lëndim.” Ka potencuar Gashi përmes një komunikate për medie.
Komunikata e plotë
Deklaratë e zv. Kryeministrit Gashi lidhur me vendimin për gjobën e shqiptuar nga Gjykatës Themelore të Gjakovës – dega Malishevë
Edhe përkundër faktit është relativisht e paqartë sipas Kodit Penal kualifikimi I këtyre mjeteve për shkak të detyrës publike që ushtroj, pranoj gjobën e shqiptuar dhe njëkohësisht bëj thirrje mediave që të raportojnë në mënyrë korrekte lidhur me këtë rast.
Unë jam përgjigjur nga fillimi të gjitha ftesave të organeve shtetërore ashtu sikurse edhe kërkon Ligji. Këshillat juridike që kam marr nga avokatët mbrojtës konfirmojnë se gjoba në fjalë nuk ndikon në ushtrimin e detyrës publike të cilën e kam.
Me këtë konfirmoj se nuk do të ushtroj ankesë ndaj vendimit, ndërsa gjobën do ta paguaj sipas kërkesave të Gjykatës, ashtu që kjo temë të konsiderohet si e mbyllur, ndërsa apeloj tek qytetarët që pavarësisht rastit të përmbahen nga veprimet e gjuajtjeve me armë zjarri gjatë festimeve familjare.