31 ditë kanë në dispozicion zyrtarët publikë ta deklarojnë pasurinë e tyre, për vitin 2018.
Nga ora 8:00 e mëngjesit, Agjencia Kundër Korrupsionit ka lajmëruar të gjithë 4839 zyrtarët publikë se, në përputhje me afatet ligjore, duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë formularët e deklarimit të pasurisë së tyre në këtë agjenci, raporton KTV.
Këtij deklarimi janë të obliguar t’i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publikë, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti.
Por, tradicionalisht, zyrtarët publikë, sipas drejtorit të Departamentit për Parandalim të Korrupsionit në AKK, Afrim Atashi, deklarimin e tyre e bëjnë në fund të muajit dhe ky fakt po u shkakton probleme zyrtarëve të agjencisë.
Vitin e kaluar, 86 zyrtarë publikë nuk e kishin deklaruar pasurinë. Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë të ditur se ndaj tyre kanë ushtruar kallëzime penale për mosdeklarim.
Por, ata nuk janë të kënaqur me dënimet që po i japin gjykatat, edhe pse deklarimi i rremë apo mosdeklarimi mund të dënohet deri në 5 vjet burgim.
Bazuar në vendimet që gjykatat kanë marrë në të kaluarën, zyrtarët që nuk e deklaruar pasurinë janë dënuar me gjoba dhe ato kanë qenë të vogla.
Ne uebin e AKK-së ndodhen disa vendime gjyqësor të viteve 2012,2013 dhe 2014 dhe gjobat sillen nga 10 euro deri në 500 Euro.